E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen korrierët e drogës, ja si po shpëtojnë trafikantët



Trazhgim Sokolaj

“Nxitimi” i policisë për të kapur ngarkesat e mëdha me drogë veçanërisht muajt e fundit, përveç statistikës pozitive, sipas prokurorisë ka edhe një efekt tjetër negativ. Organi i akuzës pohon se në disa raste kur janë kapur ngarkesa të mëdha droge, në pranga kanë përfunduar vetëm transportuesit e mallit, por organizatorët e linjave “kanë shpëtuar” pa u hyrë gjemb në këmbë. Megjithatë emrat e tyre dihen, por prokuroria thotë se nuk mund të veprojë pasi përgjimet apo mbikëqyrja që u është bërë këtyre personave nuk ka qenë e autorizuar nga gjykata. Kodi i Procedurës Penale, parashikon njohjen e përgjimit telefonik apo ambiental si provë vetëm nëse ai është kryer me autorizimin paraprak të gjykatës në një kohëzgjatje të caktuar në vendimin e lejimit të përgjimit. Me të marrë informacionin për transportimin e drogës, ajo që ndodh rëndom është: policia vihet në lëvizje duke organizuar shërbimet e saj me qëllim ndjekjen e veprimeve që bëjnë personat e implikuar. Në disa raste policia fillon kryerjen e “përgjimeve parandaluese”, (pa autorizim gjykate). Duke marrë të dhëna për veprimet e trafikantëve, si grumbullimi i drogës, transportimi i saj në akse të ndryshme apo dorëzimi i ngarkesave, policia organizon shërbimet e saj për të kryer kapjen e lëndës narkotike. Më pas droga sekuestrohet, arrestohen personat që kapen në flagrancë në vendin e ngjarjes, të cilët janë zakonisht transportuesit e lëndës dhe më pas dosja referohet në Prokurori. Organi i akuzës e shikon problemin pikërisht tek “nxitimi” i policisë për të ndërhyrë në këtë situatë. Ajo që duhet të ndodhë sipas prokurorisë, është që dosja të referohet që në fillim në organin e akuzës dhe përgjimet apo veprimet të tjera operacionale e procedurale të bëhen me autorizimin e gjykatës, në mënyrë që informacionet e marra, të përdoren më pas si prova para drejtësisë. Kjo për shkak se në rastet kur policia vepron në mënyrë të njëanshme, në momentin e mbërritjes së dosjes në Prokurori, organi i akuzës është i kushtëzuar dhe nuk mund të veprojë me arrestimin e trafikantëve apo organizatorëve të qarkullimit të drogës, pasi informacionet që i implikojnë ata në krim, nuk kanë marrë autorizimin e gjykatës dhe si të tilla ato nuk njihen si prova penale. Një rast i ngjashëm është ai i kapjes së një ngarkese prej gati një ton lëndë narkotike kanabis në Sarandë, më 20 mars 2010 në mbrëmje. Policia bllokoi furgonin me targa VL 6394 B, ku ishte ngarkuar droga, sekuestroi sasinë rekord të lëndës narkotike dhe të nesërmen arrestoi edhe transportuesin e saj. Dosja sot është duke u hetuar në Prokurori me një të pandehur të vetëm, personin që drejtonte furgonin pasi të dhënat që implikojnë personat e tjerë organizatorë në këtë krim, janë marrë pa autorizimin e gjykatës. Prokurorisë i ka mbetur vetëm mundësia e ekspertimit të gjurmëve të gishtave që ndodhen në qeset e drogës, për të zgjeruar rrethin e të pandehurve të mundshëm në proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›