Banorët, protestë për faturat e ujit
FIER - Dhjetëra banorë fierakë kanë qëndruar për disa orë rresht në pritje të një përgjigjeje zyrtare për faturat e ujit të pijshëm në oborrin e ndërmarrjes së Ujësjellësit në Fier. Sipas tyre, faturat e ujit të pijshëm janë shumë të larta dhe nuk i përgjigjen fare shifrës së konsumit. Qytetarët e irrituar kanë kundërshtuar në sportelet e pagesave të ndërmarrjes shumat e caktuara për të paguar, që sipas tyre janë shumë të larta dhe abuzive, duke shkelur kushtet e kontratave. Ata kanë kërkuar edhe rishikim të këtyre faturave nga ana e administratës së kësaj ndërmarrjeje. Shumë qytetarë pohojnë se, edhe pse kanë aparate matës të ujit të pijshëm dhe aparatet punojnë shumë mirë, faturat u vijnë afrofe. Drejtori Agim Plepi ka hedhur poshtë pretendimin e banorëve. Sipas tij, pas kontrollit të ushtruar nga Task-Force, ka rezultuar se aparatet matëse të ujit të pijshëm kanë dalë jashtë përdorimit. “Nisur nga ky fakt dhe nga vendimi i ministrisë përkatëse, është vendosur që të bëhet pagesa afrofe deri në lidhjen e aparateve të reja, aty ku janë me probleme”. m.r