E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta kundër kanabisit, hiqet nga harta Komuna e Kurveleshit



TEPELENE - Komuna Kurvelesh në rrethin e Tepelenës, për herë të parë pas 12 vjetëve është çliruar nga kultivimi i bimëve narkotike. Këtë deklaratë e ka bërë të ditur për gazetën “Panorama” kreu i kësaj komune, Asqeri Hodaj. Sipas tij, komuna që ai drejton, tashmë nuk figuron më në hartën e kultivimit të bimëve narkotike. Hodaj i ka kërkuar policisë pyjore dhe inspektorit të policisë së rendit, që të marrin kontakt me të gjithë barinjtë që kanë marrë kullotat e komunës me qira dhe të nënshkruajnë kontratë për moskultivim të bimëve narkotike në atë territor që ata po shfrytëzojnë. I pyetur për këtë çështje, zv. drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Adriatik Tafçiu, pohoi se parandalimi dhe heqja përfundimtare e Qarkut të Gjirokastrës nga harta e kultivimit të bimëve narkotike është e një rëndësie të madhe, pasi ky fenomen frenon procesin për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit tonë në strukturat evropiane. “Ndryshe nga vitet e tjera, në rast se do konstatohet ndonjë parcelë e kultivuar me bimë narkotike, s’do mbetet pa autor, pasi tashmë çdo pëllëmbë tokë është e regjistruar, ose është pronë e individit, ose është pronë e komunës”, ka siguruar zëvendësdrejtori i Policisë së Gjirokastrës, ndërsa ka vlerësuar sensibilizimin që po bëhet për parandalimin e kultivimit të drogës në Komunën e Lazaratit. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›