E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen “kartela” nga SHBA: Romeo Leka i sëmurë mendor



TIRANE – Romeo Leka, 25-vjeçari i akuzuar për grabitjen e një banke dhe mbajtjen peng të studentes 19-vjeçareje është vlerësuar në një raport mjekësor i mbërritur nga SHBA, si njeri me probleme mendore. Sipas raportit, Leka vuan nga trauma psikike, të cilat herë pas here shfaqen si çrregullime mendore të një shkalle të lartë. Lajmi bëhet i ditur nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurit Leka. Sipas avokatëve, pak ditë më parë ka mbërritur në Shqipëri raporti mjekësor i spitalit amerikan ku Leka ka qenë kuruar në vitin 2004. Mbërritja e këtij raporti ishte lajmëruar nga avokatët e Lekës, që në seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj tij. Bëhet e ditur se raporti konfirmon pretendimet e shfaqura nga avokatët, për paqëndrueshmëri mendore të klientit të tyre. Referuar raportit psikik të spitalit amerikan Romeo Leka ishte diagnostikuar si person që vuante nga trauma psikike të ardhura që nga vegjëlia. Për rrjedhojë, herë pas herë tek ai shfaqeshin çrregullime momentale të një shkalle të lartë. Mësohet se bashkangjitur materialit të raportit, pjesë e të cilave është edhe një CD, jepen të detajuara diagnoza, mbarëvajtja e kurës së Lekës në SHBA, si edhe barnat me të cilat është kuruar. Bëhet e ditur se ende nuk është realizuar përkthimi i plotë i materialit, i cili duket se do të jetë prova më e fortë e avokatëve në proces. Ndërkohë, që ende nuk është realizuar akt-ekspertimi mjekësor i Lekës, në zbatim të një vendimi të prokurorisë të pak ditëve më parë. Bëhet e ditur së nga ana e mbrojtësve i është kërkuar prokurorisë, që kryerja e akt-ekspertimit të mos bëhet në kushte ambulatore. Vendimi i prokurorisë për kryerjen e ekspertimit mjekësor të gjendjes mendore të 25-vjeçarit erdhi pas shfaqjeve të çrregullimeve mendore nga ana e tij në seancën gjyqësore të caktimit të masës së sigurisë. Gjithashtu probleme të theksuara mendore janë shquar tek Leka edhe gjatë seancave të marrjes së deklarimeve. Romeo Leka akuzohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për dy tentativa grabitjeje me armë, vjedhjen me armë të një banke, rrëmbimin dhe mbajtjen peng të studentes Lori Hatellari dhe armëmbajtje pa leje. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›