E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogana bllokon në Portin e Vlorës 12 ton fruta-perime



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Dogana mban të bllokuar prej dy ditësh në Portin e Vlorës 12 ton fruta-perime që hynë nga Italia me destinacion Tiranën. Firma “AMF” denoncoi dje këtë fakt, duke pohuar se derisa të zgjidhet çështja, malli është dëmtuar plotësisht. Shkak i bllokimit fillestar, sapo ngarkesa mbërriti në Portin e Vlorës nga Brindizi, ishte një gabim në shifra. Mospërputhja e sasisë së portokajve dhe domate në realitet me ato që ishin shënuar në raportin e doganës ka bërë që kjo e fundit dhe Antikontrabanda e Vlorës të gjobisin firmën. Ndonëse firma është justifikuar se gabimi është bërë nga doganierët italianë, ata e kanë pranuar gjobitjen me 500 mijë lekë. Pas këtij veprimi dhe verifikimeve të kryera, është lejuar nisja e ngarkesës drejt kryeqytetit. Por, pas disa orësh, Antikontrabanda e Tiranës ka urdhëruar Antikontrabandën në Vlorë të rikthejë për rikontroll ngarkesën dhe ta shkarkojë atë përsëri nga mjeti në shesh. Për herë të dytë brenda 48 orësh sasia prej 12 ton portokajsh dhe domatesh është shkarkuar në ambientet e hapura të Doganës së Vlorës. Menjëherë pas këtij veprimi, kanë reaguar përfaqësuesit e firmës “AMF”. Sipas tyre, nga verifikimi i Antikontrabandës dhe Doganës së Vlorës u konstatua se kishte një gabim në ngarkesë: në vend të portokajve ishte shënuar domate, për të cilën u gjobitën dhe bënë pagesën e saj. “Por, më pas vjen një urdhër tjetër nga Antikontrabanda e Tiranës që malli të bllokohej dhe të zbritej në shesh në ambient të hapur, në diell dhe mes pluhurash për verifikim të një grupi tjetër prej saj. Grup që nuk dihet se kur vjen. Ngarkesa ka 48 orë në ambient të hapur dhe si rezultat ka dalë e gjitha jashtë përdorimit, duke u kalbur”, thotë Artur Abilaj. Sipas tij, ngarkesa ka 5 ditë që është marrë në Itali, e mbajtur në ambiente frigoriferike dhe sipas ligjit, mbas 48 orëve duhet të dilte në treg për konsum. “Në këto kushte, e gjithë ngarkesa prej 12 tonësh ka dalë jashtë përdorimit, me një vlerë prej 16 mijë eurosh. Duke llogaritur më tej doganën, gjobën dhe shpenzimet, shifra e dëmit që i shkaktohet firmës është shumë e madhe, por askush nuk mban asnjë përgjegjësi. Nuk ke ku ankohesh dhe ku mund të kërkosh të drejtën, madje as se ku të marrësh informacion. Vetëm të komunikojnë se duhet të shkarkosh përsëri ngarkesën, se do kryhet përsëri kontroll dhe kaq. Se malli del jashtë përdorimit as nuk do t’ia dijë askush”. I irrituar, përfaqësuesi i firmës thotë se, edhe në rastet kur malli bllokohet në portet janë vendit, ai sigurohet në magazina frigoriferike. Derisa të kryhen verifikimet e nevojshme, malli është i siguruar dhe nuk dëmtohet. Abilaj arrin deri aty sa të akuzojë Antikontrabandën e Tiranës se e bën qëllimisht këtë praktikë për të dëmtuar tregtarët vlonjatë, në mënyrë që të kryejnë veprimet në Durrës e jo në Doganën e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›