E Diel, 1 Nëntor 2026

Drogë me furgon drejt Greqisë, bllokohen në Kapshticë 161 kg



KORçE - Policia e Korçës bllokon 161 kg lëndë narkotike, në tentativë për të kaluar në shtetin grek. Dy persona janë vënë në pranga, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, e llojit kanabis sativa. Operacioni i koduar “Palma” është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke u finalizuar rreth orës 06:00, në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Droga e presuar dhe e fshehur në pako u kap në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, para se të arrinte të kalonte për në tokën greke, ku kishte si destinacion Selanikun. Policia tha se ka zbuluar dhe sekuestruar 161 kilogramë drogë të presuar në 46 pako. Kjo sasi droge ishte fshehur në një furgon me targa të Elbasanit 34 71 C, në pjesën e kabinës së mjetit, pas vendit të shoferit. Policia nuk e ka pasur të vështirë që mbi bazën e sinjalizimeve paraprake, nëpërmjet kontrollit të ushtruar të zbulonte 46 pako në mjetin tip furgon, që udhëtonte drejt Greqisë dhe ka bërë arrestimin në flagrancë të autorëve. Me akuzën për trafik të lëndëve narkotike janë vënë në pranga shtetasit Arif Saliu, 38 vjeç nga Pajova e Elbasanit dhe 35-vjeçari Blerim Sina nga Balldreni. Sipas të dhënave, dy të arrestuarit për këtë rast të trafikut të drogës janë survejuar dhe ndjekur nga agjentët që nga Elbasani dhe deri në Korçë, ku u krye edhe prangosja në flagrancë. Pasi është vënë në ndjekje për të parë lidhjet e mundshme të këtij trafiku droge apo edhe drejtimin e transportit të saj, policia ka ndërhyrë pikërisht në doganën e Kapshticës për të ndalur kalimin e 161 kilogramëve drogë për në Greqi. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›