E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet mësuesi i dënuar për korrupsion

Një mësues është arrestuar
nga policia e Korçës, pasi
ishte shpallur në kërkim për korrupsion
pasiv. Vladimir Todorushi,
60 vjeç, është arrestuar pasditen
e djeshme, pasi ishte dënuar
me 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Ngjarja, për të cilën akuzohet
Todorushi, ka ndodhur një vit më
parë, kur ai u denoncua fillimisht
nga nxënësit e tij. Mësuesi i historisë
dhe gjeografisë, në shkollën
ekonomike, ishte bërë
problem për nxënësit e shkollës
së mesme, pasi u kërkonte ryshfet
për marrjen e notave kaluese.
Për më shumë se gjashtë muaj, ai
është hetuar nga ana e prokurorisë,
e cila me një dosje të kompletuar
me deklarime nga shumë
nxënës, por edhe me fakte, kur
mësuesi ka marrë para kundrejt
një note kaluese, ka ngritur edhe
akuzën, që në bazë të provave të
shumta i ka kaluar edhe gjykatës
së rrethit.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor,
i padituri për korrupsion pasiv
ka marrë edhe dënimin me
burgim për një afat prej 1 viti e
katër muajsh. Që nga muaji shtator
i vitit 2007, mësuesi, i cili nuk
ka punuar më në asnjë nga shkollat
e qytetit, është shpallur në
kërkim. Sipas të dhënave nga ana
e policisë, pas dhënies së dënimit,
60-vjeçari i është fshehur
drejtësisë dhe gjatë një viti ka
qëndruar si emigrant në shtetin
grek. Kapja e tij është bërë në
qytet në banesën, ku jetonte, pasi
ishte kthyer nga Greqia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›