E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçani mbushet me municione për demontim

Çdo ditë, në drejtim të uzinës
mekanike të Poliçanit nisen
me dhjetëra makina me municione
për demontim. Këto automjete,
të cilat zbrazin magazinat
reparteve ushtarake, sidomos
ato në fshatin Mbreshtan, përshkojnë
rrugën nacionale Berat-
Poliçan. Të gjitha arkat me municionet,
të cilat do të demontohen,
janë vendosur me kujdes në
disa hapësira të oborrit në uzinën
e Poliçanit. Me demontimin
e tyre do të merren ish-punëtorët
e uzinës mekanike, të cilët edhe
do të trajnohen për këtë proces.
Kryeinxhinieri i uzinës mekanike
të Poliçanit, Sokol Diko,
pohon për gazetën "Shqip" se për
fillimin e demontimit të armatimeve
është dërguar një grup në
Çeki për t‘u trajnuar. Më pas, për
këtë proces do të rimerren në
punë 60 persona, ish-punonjës të
kësaj uzine, të cilët kanë përvojë
në punën me armatimin dhe do
trajnohen edhe njëherë.
"Megjithëse janë nënshkruar
kontrata për demontimin e
armëve, pasi këtij kombinati i leverdis
të thithë fuqi punëtore, për
të mos dalë edhe qyteti jashtë
loje, hapi për të bërë këto demontime
duhet të jetë i kujdesshëm",
ka vijuar kryeinxhinieri Diko.
Në drejtim të këtij procesi,
pengesa kryesore është asgjësimi
i lëndëve iniciale që ndodhen në
këtë uzinë.
"Uzina është në gjendje teknike
shumë të mirë, brenda
parametrave të duhur. Madje
edhe specialistët e huaj janë dakord
që menjëherë pas operacionit
të asgjësimit të lëndëve iniciale
të fillojë zbatimi i projektit
të demontimit të armëve të sjella
nga repartet ushtarake", pohon
Diko.
Pyetjes përse u prunë këto
municione, ndërsa nuk është
kryer operacioni i asgjësimit të
tre magazinave me lëndë iniciale,
inxhinieri i përgjigjet me
siguri të plotë: "Këto municione
janë vendosur shumë larg zonës
ku do të kryhet asgjësimi i
lëndëve iniciale dhe nuk ka asnjë
rrezik".
Gjithsesi, kryeinxhinieri thotë
se pranimi i municioneve në ambientet
e uzinës mekanike në një
kohë kur pritet të bëhet asgjësimi
i lëndëve iniciale, krijon probleme,
të paktën në aspektin
psikologjik, pasi banorët janë të
trembur nga e gjithë kjo sasi municionesh
që depozitohet çdo
ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›