E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për bastin, i ngul thikën në fyt

Një bast i fituar sportiv për pak sa nuk ka lënë të
vdekur një të ri në juglindje të vendit. Një 32-
vjeçar nga Bilishti i ka ngulur thikën në fyt një të riu,
duke i rrezikuar seriozisht jetën. Ngjarja që ka ndodhur
në një pikë bastesh sportive është konsideruar nga
policia si tentativë vrasjeje. Ka qenë një sherr banal,
që për pak sa nuk i ka kushtuar jetën Bledion Nallbatit,
kur ai është goditur me thikë nga një 32-vjeçar.
Policia njoftoi se rreth orës 18.20, në një nga pikat e
lotove të sportit, 32-vjeçari Artan Osmanllari ka nxjerrë
një thikë dhe ka goditur në pjesën e qafës Bledion
Nallbatin. Ndërsa i plagosuri, që ndodhet në gjendje
të rëndë, ka mbetur i mbytur në gjak. Personat që
ndodheshin në vendngjarje kanë ndërhyrë për t‘i
dhënë ndihmën e parë dhe e kanë transportuar drejt
spitalit civil të qytetit. Me thikën e ngulur në fyt, Nallbati
është dërguar drejt spitalit, ndërsa duke përfituar
nga rrëmuja 32-vjeçari është larguar me shpejtësi
nga vendi i ngjarjes. Policia tha se të riut nga Bilishti
i janë dëmtuar kordat zanore. Për shkak të gjendjes
së rëndë shëndetësore, i plagosuri është çuar më
pas në spitalin civil të Korçës për ndërhyrje të specializuar.
Policia tha se menjëherë është organizuar
një operacion nga ana e uniformave blu të zonës për
lokalizimin dhe kapjen e autorit që ishte larguar nga
vendi i ngjarjes. Uniformat blu të zonës, që kanë nisur
edhe kërkimet intensive, kanë bërë të mundur
lokalizimin e autorit të kësaj ngjarje pak pas mesnate.
Osmanllari është arrestuar, ndërsa po tentonte të
kalonte kufirin e gjelbër me shtetin grek. Policia ka
sekuestruar në cilësinë e provës edhe thikën me të
cilën ai ka plagosur rëndë Bledion Nallbatin. Ndaj 32-
vjeçarit nga Bilishti rëndon akuza e vrasjes me dashje,
e mbetur në tentativë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›