E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet mjeku dhe dy infermierë, akuza “për mjekim të pakujdesshëm

24/07/2009  Vdekja 6- vjeçarit nga pickimi i gjarprit

Korçë- Së fundi pas hetimeve të kryera nga Urdhri i mjekut, por edhe nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë, është arritur në përfundimin se vdekja e 6- vjeçarit nga fshati Leminot i rrethit të Korçës, i cili u nda nga jeta nga pickimi i një gjarpri mbi kurrizin e këmbës së majtë, ka ardhur si rezultat mjekimit të pakujdesshëm nga ekipi mjekësor, i cili u përkujdes për këtë fëmijë. Për këtë arsye, në datën 22.07.2009, u bë ndalimi i shtetasve: Ilir Qirjako Milo, me profesion mjek anestezist, reanimator; Juljan Sotiraq Mato, me detyrë infermier, ndihmës anestezist, si dhe i Olgert Shahin Hoxhallarit me detyrë infermier. Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës, të tre këta shtetas kanë konsumuar veprën penale “Mjekim të pakujdesshëm”, parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal, pasi në datën 18.07.2009 rreth orës 14.00, nga mosdhënia e ndihmës mjekësore, shtetasi Viktor Balliu, i vitlindjes 2003, banues në fshatin Leminot i rrethit Korçë, i cili ishte pickuar nga gjarpri ka gjetur vdekjen”. Tashmë kjo çështje do të ndiqet nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë, e cila do të përcaktojë përfundimisht shkallën e përgjegjësisë të mjekut dhe të dy infermierëve. Gjithsesi nga ana e mjekëve është deklaruar se fëmijës i janë bërë të gjitha shërbimet mjekësore me përjashtim të dhënies së serumit antivipera, por që në këtë rast fëmija është trajtuar me një serum tjetër alternativ. Megjithatë, hetimet e deritanishme kanë treguar se ky lloj serumi ekzistonte në farmacinë e spitalit, ndërsa nuk është treguar i kujdesshëm personeli mjekësor i mesëm, i cili nuk kishte verifikuar saktësisht, nëse ky serum gjendej në farmaci ose jo. Hetimet e mëtejshme të Prokurorisë, duke iu referuar deklarimeve të ekspertëve, do të mund të përcaktojnë përfundimisht nëse fëmija do të kishte mundur të mbijetonte në rast se do ta kishte marrë këtë serum ose jo. Përveç serumit alternativ, mjekët kanë bërë të ditur se sasia e helmit e hedhur mbi gjakun e fëmijës ka qenë shumë e lartë, çka e bënte të pamundur shpëtimin e jetës së tij. Gjithsesi, pa u shpejtuar në rastin e një konkluzioni përfundimtar, do të jenë organet hetimore ato që do të përcaktojnë një ndëshkim të merituar ndaj mjekëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›