Arrestohet në Durrës një 27 vjeçar, tentoi të vriste drejtuesin e një automjeti

Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar mesnatën e kaluar një 27-vjeçar, i cili disa orë më parë kishte qëlluar me armë zjarri mbi drejtuesin e një automjeti. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur se shtetasi Ardit Hyska, 27 vjeç, lindur dhe banues në Durrës pas një konflikti për motive të dobta ka tentuar të vrasë me pistoletë 32-vjeçarin Roland Sado, lindur në Berat dhe banues në qytetin bregdetar. Sipas të njejtave burime ngjarja ka ndodhur mbrëmë pranë stacionit hekurudhor të Durrësit, kur Hyska, mbi të cilin rëndonte edhe një dënim tjetër për plagosje, ka qëlluar mbi 32-vjeçarin gjatë kohës kur ai largohej nga qyteti me një automjet tip Volksvagen me targë TR 1159 P. Burimet saktësuan se fatmirësisht Sado nuk është plagosur, ndërsa automjeti është dëmtuar si pasojë e goditjeve me armë zjarri. Mesnatën e kaluar forcat e policisë kanë arritur të arrestojnë Hyskën, i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq po punohet për të gjetur edhe armën e krimit-përfunduan burimet e policisë.
...