E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, në këmbë, duke pritur liderin e kombit, Sali Berisha

Shteti më i ri i Ballkanit është gdhirë me billborde dhe fotografi të kryeministrit Sali Berisha. Ideja e tij për bashkimin dhe integrimin kombëtar i ka trazuar ndjenjat e të gjithë shqiptarëve të Kosovës, por edhe në trevat jashtë saj, duke e klasifikuar vizitën e tij në Kosovë si ngjarjen më të rëndësishme për etninë shqiptare në rajon

Rrugët e Kosovës, e në veçanti ato të Prishtinës sot janë stolisur me bilborde dhe fotografi të kryeministrit Sali Berisha, të cilat kanë mbishkrimin “Mirëserdhe Sali Berisha”. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës i kanë rezervuar një pritje madhështore kryeministrit Berisha, i cili sot do të arrijë në Kosovë.

Berisha këtë herë pritet me një interesim shumë të madh dhe të veçantë nga qytetarët e Kosovës. Ai shihet si lider i të gjithë shqiptarëve këndej dhe andej kufirit,  për faktin se që prej kohësh ka përmendur idenë e bashkimit dhe integrimit kombëtar, konkretisht ka realizuar projektin e integrimit dhe bashkimit të kombit atë të rrugës Kosovë (Morinë) – Durrës, ka bërë shumë përpjekje duke lobuar ndërkombëtarisht për pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij do të takohet me liderët institucionalë të Kosovës, nga Presidenti dr. Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe liderët e tjerë sikurse Ramush Haradinaj (AAK), Nexhat Daci (LDD), Behgjet Pacolli (AKR) etj.

Universiteti shtetëror i Kosovës në Prishtinë (UP) ka vendosur që me një ceremoni të veçantë ta nderojë kryeministrin Berisha me titullin “Doktor Honoris Causa”. Mijëra studentë në Prishtinë pritet t’i urojnë mirëseardhjen Berishës dhe për këtë rektorati i universitetit ka vendosur që mësimi ditën e martë të zhvillohet nga ora 8 deri ora 20.

Në librin zyrtar të personaliteteve që nderohen me “Doctor Honoris Causa” të UP-së, figurojnë vetëm shtatë emra, amerikanët sikurse ish-Presidenti Bill Clinton apo politikani William Kerr, austriakët Michael Weninger e Wolfgang Benedeck, ministri aktual i Francës Bernard Kouschner si dhe bashkëkombasit tanë Ismail Kadare e Bamir Topi.

Ndërsa mijëra qytetarë të tjerë pritet ta përshëndesin liderin Berishën në rrugët e Kosovës.

Qyteti i Lidhjes Shqiptare ku më 1878 Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe të gjithë shqiptarët u bashkuan për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të jetësuar bashkimin e trojeve të tyre, qyteti i Prizrenit ka vendosur që ta shpallë kryeministrin Sali Berisha “Qytetar Nderi i Prizrenit”.

Gjatë vizitës, Sali Berisha pritet të nënshkruajë një sërë marrëveshjesh me institucionet e Kosovës, të natyrës ekonomike, arsimore, lëvizjen e qytetarëve etj.

Këtë herë Sali Berisha vjen në Kosovë si kryeministër i një vendi me imazh të ri, i Shqipërisë evropiane, e cila është anëtare e NATO-së, i Shqipërisë e cila është shtet aplikant për t’u anëtarësuar në BE, dhe së fundmi, i Shqipërisë si një shtet që është faktor kyç i stabilitetit në rajon - fakte këto shumë domethënëse për të ardhmen e Kosovës, dhe shqiptarëve në përgjithësi. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›