Arrestohet në Greqi Arben Këndezi, njëri nga autorët e masakrës së Qafë Gjashtës
Një nga autorët e masakrës së Qafë Gjashtës, në periferi të Sarandës, Arben Këndezi, u arrestua sot në Greqi, në sajë të bashkëpunimit të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpol Athinën, bëri të ditur pak çaste më parë Policia e Shtetit. Ngjarja për të cilën akuzohet shtetasi Arben Këndezi, 41 vjeç, lindur në Piqeras të Sarandës, ka ndodhur më 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafë Gjashtë, në periferi të Sarandës, kur ai, në bashkëpunim me shtetasit Vladimir Këndezi, Ristan Lapa, Agron Qurku, Aleksander Bala dhe Alqi Paguni, kanë qëlluar kundër forcave të policisë, duke vrarë oficerin e policisë Gjergji Mehmeti. Për këtë ngjarje të rëndë, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, ka vendosur në janar të vitit të kaluar masën e sigurisë "Arrest në burg", në ngarkim të shtetasit Arben Këndezi, për veprat penale të "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, e kryer në bashkëpunim". Policia bëri të ditur se shtetasi Arben Këndezi akuzohet edhe për një ngjarje të ndodhur më 17 mars 1997, kur ai, në bashkëpunim me shtetasit Flamur Këndezi, Agron Qurku, Janaq Qurku, Artan Nebiu, Sandro Bollani, Edmond Sejko, Andrea Foti, Vladimir Sinani, Genci Bajrami, Ivan Veseli, Lefter Tusha dhe Gjergji Qyrsari, kanë grabitur një shumë prej 26 719 210 lekësh në ish- Bankën e Kursimeve në Sarandë. Për këtë krim Gjykata e Vlorës, me vendim të datës 8 korrik 1999 e ka dënuar shtetasin Arben Këndezi me 6 vjet burg, vendim i cili është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Vlorë disa muaj më pas dhe nga Gjykata e Lartë një vit më pas.
...