Arrestohet në Greqi për mashtrim, Indrit Aliu
Interpoli
TIRANE- Arrestohet në Greqi, Indrit Aliu, 25 vjeç, i kërkuar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë me akuzën e mashtrimit me pasoja të mëdha, i shpallur në kërkim me masën e arrestit në burg në mungesë.
Arrestimi është njoftuar dje në mesditë nga Policia e Shtetit e cila ka pohuar se arrestimi i Aliut, 25 vjeç, është kryer në Athinë, ku ai qëndronte prej më tepër se 8 muajsh që nga koha e largimit të tij nga Shqipëria, pasi u shpall në kërkim për disa mashtrime, ndaj personave të ndryshëm dhe institucioneve shtetërore.
Arrestimi është kryer mbrëmjen e të mërkurës, me 18 nëntor, rreth orës 22:30, në një banesë në të cilën qëndronte Aliu. Me 1 prill të këtij viti, Gjykata e Tiranës, kishte caktuar në ngarkim të tij, masën e arrestit me burg pa afa në mungesë, pas kërkesës së prokurorisë.
Ndaj tij, persona të ndryshëm dhe institucione shtetërore kanë denocnuar se i kishte mashtruar në forma të ndryshme duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash. Pas arrestimit të Aliut, ai pritet të ekstradohet në Shqipëri, ndërsa ndaj tij aktualisht vazhdon procesi hetimor për veprimet për të cilat akuzohet.
Reagon Drejtoria e Policisë së Tiranës, pas denoncimit të një biznesmeni
Ahmeti nuk ka vepruar arbitrarisht
Drejtoria e Policisë së kryeqytetit ka reaguar dje ndaj lajmit të publikuar në lidhje me denoncimin e dy biznesmenëve për ushtrim dhune dhe veprime arbitrare ndaj Krenar Ahmetit, ish- shef i Policisë Rrugore, aktualisht Shef i Sektorit të Forcës Posaçme të bluve të kryeqytetit.
Policia ka reaguar duke pretenduar se denoncimi i dhënë në prokurorinë e Tiranës, nuk është depozituar kundrejt oficerit Ahmeti, por ndaj punonjësve në varësi të tij. "Sa më sipër, ndaj punonjësit të policisë Kryekomisar Krenar Ahmeti nuk është depozituar asnjë kallëzim penal.
Theksojmë se ky fakt, mund të vërtetohet edhe në materialin kallëzues që ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, shtetasi Bujar Kamberi, në ngarkim të punonjësve të policisë, të cilët kanë një varësi hierarkike nga Kryekomisar Krenar Ahmeti".
Në të kundërt, në kallëzimin që posedon gazeta "Shekulli", ky kallëzim është depozituar ndaj drejtuesit të veprimeve të operacionit. Ndërkaq vetë Ahmeti, ka pohuar për "Shekullin", se ai vetë nuk ka kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj asnjë qytetari, siç pretedendohet.
"Unë nuk kam kryer asnjë veprim arbitrar ndaj askujt, për rastin në fjalë",- tha Ahmeti, përkundër pretendimeve të dhëna nga Bujar Kamberi në denoncimin e dhënë prej tij në prokurorinë e Tiranës.