E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Han të Hotit zvicerani me makinë të vjedhur

Policia kufitare ka arrestuar në Han të Hotit një shtetas zviceran, i cili dyshohet se trafikonte makina të vjedhura. 53-vjeçari Roland Butikofer është ndaluar nga policia kufitare e Hanit të Hotit, rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, në momentin që po tentonte të hynte në Shqipëri me një automjet luksoz. I huaji dyshohet të ketë futur për dy vite në Shqipëri 8 makina luksoze të vjedhura. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se 53-vjeçari me kombësi dhe nënshtetësi zvicerane dyshohet se nga viti 2006 deri më 2008-ën është futur 8 herë në Shqipëri me automjete të ndryshme dhe më pas është larguar me avion nga Rinasi. Të njëjtat burime të policisë pohojnë se zvicerani dyshohet të këtë futur në Shqipëri 8 automjete luksoze të vjedhura. Ndërkohë që vazhdojnë verifikimet e policisë në lidhje me pronësinë e automjetit, me të cilin 53-vjeçari ka tentuar të hyjë në Shqipëri, agjentët e antitrafikut janë duke verifikuar të gjitha hyrjet e daljet e tij, si dhe shitjet e makinave që ai ka bërë nga Zvicra. Fakti që policia kufitare nuk u bën kontroll të hollësishëm të huajve që vijnë për në Shqipëri, ka bërë që kjo të shfrytëzohet nga trafikantët e huaj të makinave luksoze, të cilët pasi kalojnë kufirin pa problem i shesin makinat dhe pas kësaj largohen nga Rinasi. Brenda këtyre dy viteve të fundit, në pikat e kalimit kufitar të Shkodrës me Malin e Zi janë prangosur 4 shtetas të huaj, të cilët merreshin me trafikimin e automjeteve të vjedhura. Me datë 8 prill të këtij viti është arrestuar 20-vjeçari francez Viktor Raymond Saint-Val, i cili është kapur nga policia kufitare e Hanit të Hotit me një automjet luksoz tip BMW-X5, që, sipas Interpolit, rezultonte e vjedhur. Pas verifikimeve të mëtejshme nga policia ka rezultuar se 20-vjeçari ka qenë edhe dy herë të tjera në Shqipëri me makina të vjedhura, të cilat më pas i ka shitur kundrejt çmimeve simbolike. Më 23 korrik të vitit 2007 është arrestuar Franc-Jozef Berhard Mund nga Gjermania, pasi është kapur me një automjet tip "Mercedes Benz ML" të vjedhur. 50-vjeçari kishte kohë që merrej me trafik makinash të vjedhura dhe vetëm gjatë muajit qershor kishte sjellë në Shqipëri dy automjete luksoze, një "Audi A6" dhe një "BMV X5". Po kështu, në maj të vitit 2007 është arrestuar italiani Mirco Tagliani. 28-vjeçari u kap nga policia kufitare e Hanit të Hotit me një automjet luksoz tip "Porche" të vjedhur. Sipas burimeve policore, vetëm vitin e kaluar nga pika e kalimit kufitar të Hanit të Hotit janë bllokuar duke hyrë në Shqipëri 6 automjete luksoze të vjedhura. Ka pasur edhe raste kur makinat e sekuestruara janë kthyer te pronarët në vendin e origjinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›