E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, tre të vdekur dje

Dy aksidente me pasoja të rënda kanë ndodhur gjatë 24 orëve të shkuara. Dy persona kanë vdekur në afërsi të Memaliajit, kur makina e tyre përfundoi në lumin Vjosë, ndërsa një i tretë ka vdekur në Peqin, ku tri makina u përplasën me njëra-tjetrën.

Memaliaj

Një çift emigrantësh kanë gjetur vdekjen dje, pasi makina me të cilën udhëtonin ra në ujërat e lumit Vjosë, në afërsi të qytetit të Memaliajit. Pasi kishin kaluar disa ditë pushimesh në vendlindjen e tyre në Fier, bashkëshortët Ramazan dhe Melude Halimi janë nisur dje drejt Greqisë, me një veturë tip "Nisan" me targa greke. Sipas policisë së Tepelenës, në vendin e quajtur Kthesa e Fosforit, dy kilometra larg Memaliajit, makina ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumë, duke marrë me vete 47-vjeçarin Ramazan Halimi, ndërsa gruaja e tij, Meludeja 46-vjeçare ka vdekur nga goditjet e marra në përpjekje për t‘u hedhur nga makina. Specialistët e policisë thanë se aksidenti i rëndë ka ardhur si pasojë e një ataku kardiak të drejtuesit të mjetit. Shoferi ka humbur ndjenjat dhe makina që udhëtonte me shpejtësi nëpër një të tatëpjete ka vijuar rrugën drejt lumit. Gruaja është munduar të kontrollojë që nga sedilja e saj timonin, por pasi nuk ka arritur, ka hapur derën për të dalë. Kjo përpjekje, thuhet nga specialistët, ka qenë edhe shkak i vdekjes së saj. Gruaja është përplasur fort pas gurëve dhe shkëmbinjve dhe më pas ka rënë e vdekur në lumë. Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë së Tepelenës bënë të ditur se trupi i gruas është gjetur anës lumit në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga një bari i zonës. Policia arriti të identifikonte viktimat në orën 13:00 të ditës së djeshme. Ndërkohë, në vendngjarje ka shkuar një grup palombarësh nga Tirana, të cilët kanë punuar deri pasdite vonë për nxjerrjen e automjetit dhe viktimës 47-vjeçar.

Peqin

Një burrë 60 vjeç ka gjetur vdekjen, kur tri mjete janë përplasur me njëra-tjetrën në afërsi të fshatit Paulesh të Peqinit. Liman Gjorka, banor i fshatit Kusarth të rrethit të Elbasanit, vdiq menjëherë, ndërkohë që tre persona të tjerë janë plagosur rëndë. Burime të policisë rrugore thanë se një veturë "Mercedes Benz", me targa greke MI2Y 3892, me drejtues Besnik Dakan është përplasur me një tjetër "Mercedes Benz" me targë LU 9747 B, si dhe me një "Fiat" me targa greke EMB 7614. Po sipas policisë, mësohet se fillimisht janë përplasur dy veturat "Mercedes Benz" dhe më pas në aksident është përfshirë edhe "Fiat"-i me targa greke, që për shkak të shpejtësisë nuk ka mundur të frenojë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, si dhe grupi hetimor, të cilët kanë transportuar tre të aksidentuar. Besnik Daka dhe Agim Lila, të dy banues në Peqin, janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa 18-vjeçarja Laura Kolgjoku është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka arritur në përfundimin se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Ndërkohë, mësohet se një tjetër aksident ka ndodhur në fshatin Mirakë të rrethit të Librazhdit, pesë kilometra larg qytetit, ku një shtetas është plagosur dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›