Arrestohet në Itali shqiptari i kërkuar për vrasje në Lezhë
ITALI-Policia italiane ka arrestuar dje një 42-vjeçar shqiptar të kërkuar për vrasje. Sipas agjencive të lajmeve italiane, mësohet se është bërë i mundur arrestimi i Gjergj Bibës, i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare. Biba është dënuar në mungesë me 13 vjet burg për një vrasje dhe plagosje në vitin 1993. Shtypi italian shton se Biba akuzohet nga vendi i tij të ketë vrarë fqinjin e tij pas një grindjeje për një truall mes shtëpive të tyre. Arrestimi është bërë i mundur nga policia e provincës së Pistojas në Itali, e cila e ka zbuluar, edhe pse Biba prej vitesh jetonte aty me një emër të rremë në komunën e Macës. Që prej vitit 1990, familja e Mark Bibës, që ishte babai i Gjergjit, kishin një konflikt pronësie me familjen e Rrok Nikës, në fshatin Manati të Lezhës. Për këtë konflikt, Gjergj Biba ka goditur me thikë për vdekje djalin e Rrok Nikës në vitin 1993, Gjergj Nikën, që në atë kohë ishte 44 vjeç. Sherri midis tyre kishte nisur për një truall që dy familjet pretendonin për një pjesë toke që ishte në mes ndarjes së vijave kufizuese të pronës së tyre, por që asnjëherë nuk kishin mundur ta zgjidhnin nëpërmjet dialogut. Dhe pikërisht mungesa e dialogut kishte bërë që në vitin 1993, dy djemtë e Mark Bibës, Gjon Biba, në atë kohë efektiv i Policisë së Lezhës, së bashku me vëllanë e tij Gjergjin, i kishin dalë në rrugë Gjergj Nikës, 44 vjeç, ku kanë filluar të ziheshin me njëri-tjetrin. Në këto kushte, Gjon Biba ka nxjerrë pistoletën dhe e ka kërcënuar Nikën, ndërsa vëllai tjetër Gjergj Biba e ka qëlluar me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas gjashtë muajsh nga vrasja, Tom Nika qëllon me automatik mbi Mark Bibën, por për shkak të terrenit ku është ndodhur, 72-vjeçari ka mundur të shpëtojë pa u prekur nga plumbat. Më pas plaku i familjes Biba ka tentuar të hakmerret, por është arrestuar nga policia me një pistoletë pa leje tip “TT”. Ndërkohë, Gjykata e Faktit në atë kohë shpalli fajtor edhe vëllain e Gjergj Bibës, Gjonin, por Apeli e shpalli të pafajshëm, madje edhe e dëmshpërbleu për burgim të padrejtë. Tashmë autori i ngjarjes së 16 viteve më parë është arrestuar në Itali dhe pritet ekstradimi i tij. e.d