Historianët:Skënderbeu, jo hakmarrës ordiner
ALMA MILE
Padyshim shqiptar dhe jo një hakmarrës i ngushtë. Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga përkujtimi i 565-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, historianët u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët për të folur mbi figurën e Skënderbeut. “Skënderbeu dhe koha e tij” titullohej tryeza e organizuar nga Instituti i Historisë, ku merrnin pjesë specialistët e kësaj periudhe historike. Edhe tryeza e djeshme rrahu në aktivitetet paraardhëse të këtij lloji. Argumentet e sjella, janë përmendur edhe më parë dhe historianët nuk bënë gjë tjetër, veçse përsëritën vetveten. Në të vërtetë edhe ata vetë janë të ndërgjegjshëm për këtë. Edhe historiani Luan Malltezi, u shpreh se ka disa momente në këtë periudhë historike, të cilat nuk janë studiuar fare nga historianët tanë. Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Metaj, tha se tanimë, instituti është duke evidentuar të gjithë specialistët, jo vetëm të fushës, por edhe sidomos njohës të gjuhëve të huaja, më së shumta gjuhëve të vjetra, si njohës të gjuhës greke, latine, osmane, etj. Sipas historianit Dritan Egro, për të zbardhur figurën e Skënderbeut është e nevojshme t’u referohemi për periudha të ndryshme, burimeve arkivore të ndryshme. Ai i qëndroi idesë së tij, se ëhstë koha për t’u larguar nga studimi empirik i historisë. Ndërsa sollën edhe një herë lavdinë e Skënderbeut, për luftën e tij kundër armiqve, për bashkimin e shqiptarëve dhe bindjen se askush nuk mund ta zbresë atë nga panteoni në të cilin ndodhet, historianët nuk mund të mos ndaleshin edhe tek tezat e hedhura muaj më parë nga Oliver J. Schmitt në librin e tij “Skënderbeu”. Historiani Luan Malltezi tha se Schmitt solli disa informacione me vlerë për vitet e fundit të jetës së Skënderbeut, ndërsa historiani Ferid Duka, preferoi të ndalej në dy teza të hedhura nga historiani. Njëra prej tyre ishte prejardhja serbe e tij, gjë për të cilën, siç thotë Duka, as vetë Schmitt nuk ishte i bindur. Sipas tij, etniciteti i Skënderbeut nuk është vënë asnjëherë në dyshim as nga kronikanët osmanë. Ai iu referua disa burimeve të tilla, si Defterit Osman dhe kronistit Qemal Pashë Zadeja. Ky i fundit thotë se “në Shqipëri doli një njeri i fisit të vjetër mbretëror me emrin Skënder, i bir i Jovanit”. Në tryezën e djeshme u nënvizua fakti që Skënderbeu ishte figura e fisnikut që pësoi shndërrimet dhe kthesat e kohës së tij, që ndodhet në kapërcyell mes kalimit nga periudha paraosmane, në atë osmane. Ferid Duka thotë se në atë kohë pati nga ata fisnikë që qëndruan dhe ruajtën edhe fenë, ndërsa Skënderbeu, duke qenë se u mor peng dhe u mor në sarajet osmane, u islamizua, por duke ruajtur vetëdijen dhe përkatësinë shqiptare. Përpos prejardhjes etnike të Skënderbeut, një tjetër tezë e hedhur nga Schmitt ishte edhe motivi që e shtyu Skënderbeun të hynte në luftë me Perandorinë Osmane. Përmes librit të tij, Schmitt sillte një dokument të ri, sipas të cilit, Skënderbeu e nisi këtë luftë për t’u hakmarrë ndaj vrasësve të të atit. “Motivi i hyrjes në luftë, nuk mund të justifikohet me një çështje të tillë personale. Bazën e motivimit e ka tek tradita familjare. I ati i tij, Gjon Kastrioti, në fund të viteve ’20, fillimi i viteve ’30, të shek XV, ishte një nga personazhet kryesorë të luftës antiosmane, me të cilin si perandoria, ashtu edhe Venediku, kishin interes të vendosnin marrëdhënie”, - thotë historiani Duka, ndërsa i referohet kronistëve osmanë, ku thuhet se Skënderbeu u bë renegat, iku nga dera osmane, duke aspiruar për sundimtar dhe shtriu dorën në sundimet osmane. Hyri në vilajetin e të atit, “në nahijen e ashpër të Jovanit”, ku njerëzit e pritën si birin e prijësit. Për të kundërshtuar hijet që herë pas here dalin para figurës së Skënderbeut, Duka iu referua mitit të heroit, i cili nuk u krijua thjesht nga shqiptarët, por edhe nga vetë Evropa e civilizuar. Ai tha se deri tani nuk kanë dalë elementë për të “kompromentuar” figurën e tij dhe për ta zbritur nga panteoni në të cilin ndodhet.
Argumente jo historike
Të tjera argumente mbi figurën e Skënderbeut sollën të tjerë specialistë të fushave të ndryshme. Të tilla ishin ato të sjella nga drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, mbi dëshmitë materiale, jo vetëm të ekzistencës së Skënderbeut, por edhe të pozitave të tij dhe të familjes së tij. Për të vijuar më tej me figurën e Skënderbeut në letërsi, për të cilën referoi specialisti, Behar Gjoka. Ai iu referua letërsisë shqipe, por më së shumti asaj të huaj dhe bëri paralelizma me të tjera mite, si Robin Hudi, apo Zhanë D’Ark.