E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga për drogë bamirësit të rremë

 
 
Policia e Tiranës “nis gjuetinë” ndaj shpërndarësve të drogës. Katër të rinj janë arrestuar me kanabis e kokainë në tre operacione të ndryshme gjatë ditës së djeshme
 
 
Artan CENA
TIRANë - Hiqej si punonjës i një fondacioni bamirës, por arrestohet me më shumë se 1 kilogram lëndën narkotike kanabis sativa. Fjoralb Gjeloshi është ndaluar gjatë ditës së djeshme, pasi policia e kishte kapur me një sasi droge. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, sipas të cilave, në pranga kanë rënë edhe tre persona të tjerë në një tjetër operacion. Katër persona kanë rënë në pranga për trafik dhe shitje droge. Përgjatë orëve të para të ditës së djeshme, specialistët e Seksionit Kundër Drogës pranë policisë së kryeqytetit, arrestuan në flagrancë Fjoralb Gjeloshin, 19 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij, sipas policisë, është bërë pasi në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, është kapur në flagrancë me një sasi bime të dyshuar narkotike dhe pas një kontrolli në banesën e tij, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme bime e dyshuar narkotike dhe afro 303 copë formularë “Fondacioni bamirës ‘Kosova’”, të cilët dyshohen të jenë të falsifikuar. Burime nga policia kanë bërë të ditur se Gjeloshi pretendonte që ishte punonjës i shoqatës humanitare. Por policia i ka vënë prangat dhe e ka shoqëruar për në qeli. Ai kishte disa kohë që ishte vënë nën hetim dhe dje është ndaluar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e bimës së dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë 1170 gramë, 303 copë formula me mbishkrimin “Fondacioni bamirës ‘Kosova”, si dhe një telefon celular tip “Samsung”.
Operacionet
 Po gjatë ditës së djeshme, efektivët blu të Seksionit Kundër Drogës kanë vënë në pranga edhe Endrit Demajn, 23 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë dhe Gentian Degën, 26 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye, sepse rreth orës 22:20 të dy ditëve më parë, pranë një qendre tregtare në afërsi të Kamzës, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 janë kapur në flagrancë, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Passat”, me targa të huaja, iu gjet e fshehur (te dera e shoferit) një qese me bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa dhe në pjesën e levës së marshit disa doza me ngjyrë të bardhë dhe pluhur me ngjyrë të bardhë e dyshuar si lëndë  narkotike e llojit kokainë. Gjatë arrestimit të tyre, si prova materiale janë sekuestruar 1150 gramë me ngjyrë jeshile e dyshuar si kanabis sativa, 46 gramë pluhur me ngjyrë të bardhë e dyshuar si kokainë dhe 17 gramë pluhur me ngjyrë të bardhë e dyshuar si kokainë, e ndarë në 17 doza. Gjithashtu janë bllokuar edhe 4 telefona celular tip “Nokia” dhe mjeti veturë me targa MI OV 5663, tip “Passat”, bashkë me dokumentacionin. Po dje, policia ka mundur të ndalojë dhe Ardit Ulndreaj, 19 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij është bërë, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjetën një sasi lënde narkotike me peshë 666.4 gramë me gjithë ambalazh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 666.4 gramë bimë me aromë dhe karakteristika si ajo e bimës narkotike “marihuanë” dhe 2 telefona celular tip “Nokia”.
 
 
 
 
Qëllon në gjendje të dehur me pistoletën e shërbimit
 
Polici i burgjeve “luftë” në qendër të
Tiranës, shoqërohet në komisariat
 
TIRANë - Një sherr në një furgon të linjës Tiranë - Fushë-Krujë për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi, me autor të dyshuar një efektiv të policisë. Fatmir A., i cili është shoqëruar në Komisariatin Nr. 3, ku është marrë në pyetje në lidhje me shkrehjen e armës së shërbimit në publik. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur gjatë mbrëmjes së djeshme se, efektivi i burgut të Fushë-Krujës, por shkonte për në punë dhe aty ka nisur një zënkë me një prej pasagjerëve të furgonit të linjës. Sipas të dhënave nga policia, sherri ka vazhduar dhe më gjatë. Në këtë moment, shoferi i fugonit ka ndaluar atë dhe dy personat e përfshirë në sherr kanë zbritur në tokë. I shoqëruari sipas të dhënave, kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli dhe ky ka qenë edhe shkaku i zënkës mes pasagjerit dhe efektivit të policisë së burgjeve. Incidenti me policin në gjendje të alkoolizuar ka ndodhur pranë vendit të quajtur “Stacioni i Trenit”, në kryeqytet. Burime të policisë së Tiranës thanë se polici Fatmir A., aktualisht efektiv i burgut të Fushë-Krujës, është grindur me pasagjerët e një furgoni taksi dhe më pas ka përdorur armën, duke shtënë në ajër. Të shtënat kanë alarmuar pasagjerët, si dhe kalimtarët e shumtë në këtë zonë. Këta të fundit kanë lajmëruar policinë dhe në drejtim të vendit të sinjalizuar kanë shkuar patrullat e Komisariatit Nr. 3. Këta të fundit menjëherë kanë bërë të mundur që të ndalonin efektivin blu dhe më pas ta shoqëronin për në komisariat. Këtu ai është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që janë marrë dhe dëshmitë e pasagjerëve që ndodheshin në furgon. Këta të fundit kanë thënë s, efektivi i policisë kishte konsumuar alkool dhe ky ka qenë edhe shkaku i zënkës në furgon.
 
 
Ekstradohet i dënuari për vrasjen e ‘97
TIRANë - Një 48-vjeçar nga Fieri është ekstraduar nga kryeqyteti italian, Romë, drejt Tiranës. Gjoleka Misiraj nga qyteti i Fierit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin numër 134, datë 17 shtator 2007, e kishte dënuar me 19 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ai akuzohet për një vrasje të ndodhur më 27 korrik 1997. Rreth orës 15:30 minuta të asaj dite, Gjoleka në bashkëpunim me persona të tjerë, në fshatin Allambrez të Beratit, ka qëlluar me armë zjarri Kastriot Shehun, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas policisë, motivi i kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë hakmarrja. Që nga kjo kohë, ai ishte larguar jashtë vendit, ku dhe kishte jetuar deri në momentin e arrestimit. Sipas policisë, 48-vjeçari është vënë në pranga në Romë më 31 maj 2009 dhe më pas nisi procedura për ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ky shtetas u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
 
 
Pas sherrit, emigrantët përplasen me armë
ATHINë - Përplasje me armë mes dy emigrantëve shqiptarë në mes të Athinës. Siç bëhet e ditur nga burime të policisë në kryeqytetin grek, emigrantët shqiptarë sapo kanë dalë nga banesat e tyre, kanë filluar të zihen me njëri-tjetrin dhe më pas kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në mes të Athinës. Akoma nuk dihet shkaku, por ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes rreth orës 10:00 në rrugën “Gramu” në qendër të Dhafnit. Këtu dy emigrantë shqiptarë po ziheshin me fjalë. Në një moment njëri nxori pistoletën dhe e drejtoi te shoku i tij. Qëlloi tri herë në ajër, por për fat të mirë nuk kishte rikoshetë, që mund të shkaktonte viktima. Të dy u zhdukën brenda disa sekondave.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›