E Shtunë, 31 Tetor 2026

35 vjet burg për dy pedofilët britanikë

Dino Kristudulu dhe Robin Arnold do të qëndrojnë përkatësisht 20 dhe 15 vjet në burg, pasi kanë abuzuar seksualisht me 9 të mitur që strehoheshin në qendrën bamirëse të drejtuar nga Devid Braun
 
TIRANë - Dy britanikët e akuzuar për abuzime seksuale me jetimët e mitur u dënuan dje nga Gjykata e Tiranës me 35 vjet burg, vendim ky që pason atë ndaj Devid Braun, i cili duhet të qëndrojë 20 vjet në qeli për të njëjtat akuza. Sipas vendimit të gjykatës, britanikët Dino Kristudulu, 45 vjeç dhe Robin Arnold, 56 vjeç, do të dëbohen nga Shqipëria si persona të padëshiruar pas përfundimit të dënimit. Ditën e djeshme, gjyqtarja Shefkie Demiraj, në cilësinë e kreut të trupit gjykues, shpalli fajtorë dy ish-punonjësit e fondacionit të ashtuquajtur bamirës “Fëmijët e tij” dhe dënoi me 20 vjet heqje lirie Dino Kristodulu, ndërsa i akuzuari tjetër, Robin Arnold, u dënua me 15 vjet burg. Masa e dënimit të dhënë dje nga gjykata ishte katër vjet më pak se kërkesa e prokurorisë, e cila tha se të pandehurit kanë abuzuar seksualisht dhe fizikisht me të paktën 9 të mitur që strehoheshin në qendrën bamirëse të drejtuar prej Devid Braun. Gjatë leximit të vendimit, dy të pandehurit kanë qëndruar të qetë dhe nuk kanë shfaqur asnjë reagim para gjykatës. Me vendimin e djeshëm mbyllet përfundimisht një prej skandaleve më të mëdha seksuale që ka përfshirë ndonjëherë Shqipërinë, ku protagonistë ishin tre shtetas britanikë, të cilëve tashmë do t’u duhet të qëndrojnë më shumë se gjysmë shekulli në qeli.
Akuza
Sipas aktakuzës përfundimtare të prokurorisë, dy britanikët që arritën të largohen nga Shqipëria pas shpërthimit të skandalit seksual, por të rikthyer me vendim të autoriteteve, akuzohen për të paktën 9 raste abuzimesh seksuale me të mitur. Fillimisht për torturat që u bëheshin fëmijëve në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” është vënë në dijeni Devid Braun, i cili gjatë gjithë procesit ka mohuar akuzën e ngritur, por më pas, vetë të miturit kanë treguar abuzimet që u bëheshin edhe te punonjës të tjerë të qendrës. Sipas prokurorisë, e cila fillimisht ka hetuar për këtë çështje katër punonjës të fondacionit, është e provuar se Dino Kristodulu ka kryer marrëdhënie homoseksuale me 7 fëmijë: D. A., i datëlindjes 1998, A. Q., i datëlindjes 1996, M. Q., i datëlindjes 1997, E. M., i datëlindjes 2000, D. M., i datëlindjes 1999, F. M., i datëlindjes 1998 dhe F. M., i datëlindjes 2001. Ndërsa Robin Arnold, i cili sipas prokurorisë është dënuar dy herë nga gjykatat britanike për akuzën e abuzimit seksual me të mitur, është provuar abuzimi më dy fëmijë, L. K. dhe G. B. Dy të pandehurit sipas hetimit njëvjeçar torturonin fëmijët dhe abuzonin me ta seksualisht për disa muaj me radhë. Ky fakt është pranuar nga vetë të miturit, të cilët gjatë dëshmive të tyre kanë treguar tmerret që përjetuan gjatë qëndrimit në qendrën bamirëse dhe të gjitha torturat që u janë bërë nga dy të akuzuarit për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Hetimi për ngjarjen e rëndë, e cila është mbajtur e fshehur për dy vite me radhë, madje edhe nga zyrtarë të lartë të misioneve policore që veprojnë në Shqipëri, u denoncua në Prokurorinë e Tiranës nga një punonjëse e qendrës, e cila kishte mësuar abuzimet seksuale që bëheshin me të miturit nga vetë ata.
 
 
Denoncimi i holandezes
 
Punonjësja e qendrës tregoi abuzimet seksuale
Më datë 12 maj 2006, shtetasja holandeze Jacoba Dikken ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, në të cilin akuzonte të pandehurin John David Brown për keqtrajtimin e fëmijëve. Në kallëzimin e saj ajo sqaron se kishte mbërritur në Shqipëri më datën 29 qershor të vitit 2004, kur kishte dëgjuar për aktivitetin bamirës të fondacionit “Fëmijët e tij’. Ajo ka sqaruar se në atë kohë në shtëpi ishin të strehuar rreth 40 fëmijë, të moshave nga 2-14 vjeç. Fëmijët rrinin të ndarë, sipas moshave dhe sekseve. Por, për shkak të mungesës së kushteve, flinin edhe dy-tre fëmijë në një krevat. E shqetësuar nga këto kushte, Jacoba Dikken kishte bërë përpjekje për ndryshim, por nuk kishte gjetur mbështetjen e të pandehurit John David Brown. Për këtë shkak ajo ishte larguar nga shtëpia rreth muajit shtator 2005. Rreth muajve prill-maj 2006, Jacoba Dikken ishte vënë në dijeni se i pandehuri po e kërkonte për të bërë disa llogari financiare. Për këtë shkak, Jacoba Dikken u kishte kërkuar takim, për të mësuar diçka më shumë rreth këtij fakti shtetaseve Bonie Springthorpe dhe Sylvie Bellefame, të cilat punonin te “Fëmijët e tij”. Jacoba Dikkne kallëzon se të dhënat rreth abuzimeve seksuale me fëmijët i kishte marrë vesh vetëm më datë 11 maj 2006, pas bisedës të zhvilluar me shtetaset Bonie Springthorpe dhe Sylvie Bellefame. Në kallëzimin e dhënë, Jacoba Dikken ka deklaruar: “ Bonnie më tha mua, që Devidi i mbante fëmijët shumë vonë në dhomën e tij, duke parë video. Ai gjithashtu mbante edhe djemtë e vegjël, që të flinin atje. Ai madje nuk shkon as në banjë, por i kryen nevojat personale në një shishe dhe i derdh të nesërmen, kur del jashtë rreth orës 11. Fëmijët bëjnë të njëjtën gjë… Bonie dhe Sylvie më treguan gjithashtu një rast abuzimi… Vitin e kaluar (bëhet fjalë për vitin 2005), një skocez qëndroi në shtëpi përreth 14 ditë. Ai dhunoi disa fëmijë… Fëmijët ishin kontrolluar dhe disa prej tyre ishin të dëmtuar. Devidi dhe Alani (Alan Moir - oficer i PAMECA në Shqipëri) i thanë personelit që të mos tregonin, sepse përndryshe shtëpia do të mbyllej. Kur Boni dhe Naçi biseduan me Devidin për të kontrolluar vizitorët e rinj, Devidi nuk mendoi se kjo gjë do të ishte e domosdoshme. Më pas, atë vit (viti 2005) një burrë tjetër erdhi nga Skocia dhe dhunoi disa fëmijë. Një nga djemtë e rritur provoi të bënte diçka me njërën prej vajzave, por ai u ndoq nga shtëpia…”.   
 
 
Letrat paralajmëruese
 
Ish-punonjësit Braunit: Po abuzon me fëmijët
 
Letra që Earl Crowder i drejton John David Brown
“ I dashur Devid. Po ju shkruaj për të hequr dorë nga “Fëmijët e tij”, në Shqipëri. Do të më pëlqente nëse do të hiqni emrin tim nga kjo sa më parë të jetë e mundur. Arsyet e mia janë të thjeshta. Juve nuk po kujdeseni siç duhet për fëmijët në këto mënyra. Juve nuk po i mbroni ata nga abuzimi seksual dhe fizik dhe po i referohem Edit. Ju e keni mbipopulluar shtëpinë në atë masë, saqë nuk ka krevate dhe mjete për t’i bërë ballë. Ju nuk doni dhe nuk keni bërë përpjekje për të respektuar ligjet në Shqipëri, ku jetoni. Ju dhe të gjithë të tjetër rrezikoni të paditeni, për shkak të mosrespektimit të ligjit… Kështu që, më vjen keq që unë heq dorë, por nuk dua që emri im të lidhet me njerëz me sjellje të papërgjegjshme…”
Letra e datës 13 tetor 2002
Kathy Smith i shkruan Brown se: “…David, nuk më the asnjëherë që Edi ka përdhunuar Mirën dhe Asjen, unë e dija që juve po e fshihnit atë. Prita të më thoshe, por kurrë nuk e bëre… është hera e dytë që Edi u ka bërë diçka të tillë këtyre vajzave… Për më tepër ju po e lejoni atë të vijë përsëri në shtëpi për të terrorizuar fëmijët e vegjël dhe vajzat… Në Amerikë quhet abuzim me fëmijët, nëse një fëmijë sëmuret dhe nuk i kushtohet vëmendje mjekësore, nëse një fëmijë abuzohet seksualisht ose ngacmohet… Abuzimi mendor është t’u bërtasësh, të nxehesh keq me ta dhe ka shumë forma David… Jam i sigurt se shteti shqiptar nuk do ta shohë të lehtë këtë. David, je në një vend që duhet t’i bindesh ligjit të shtetit shqiptar, të mos respektosh ligjin do të thotë të jesh kundër parimeve të Zotit… Ligji i Shqipërisë thotë që fëmijët duhet të adoptohen pas gjashtë muajsh, pse nuk e keni përfunduar këtë punë? Nuk ka të bëjë me paratë, sepse unë e di që ju morët disa mijëra dollarë… Unë jam gjithashtu i shqetësuar, sepse ju nuk i latë Earlit lekë për ushqim për fëmijët kur u larguat… A rrinit pa birrë për të ushqyer fëmijët? Ti e di sesi ndihem unë për këtë. Nëse fëmijët rrinë të uritur, ndërsa juve ngopeni me kënaqësitë tuaja, Zoti nuk do të të bekojë… çfarë lloj babai jeni ju? Mos i vërë në rrezik jetët e tyre! Perëndia më thotë që të largohem nga bijtë e mosbindjes dhe të largohem nga djalli dhe të ndjek drejtësinë… Lutem që të kërkosh Perëndinë, David, që të ndryshojë mendjemadhësinë dhe mënyrat e tua të mashtrimit…”.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›