Arrestohet në Londër Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës
Luan Kondi
TIRANE – Ilir Kumbaro, ish-drejtor i SHIK në Drejtorinë Qendrore, dhe i akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, në vitin 1995, Remzi Hoxha, u arrestua në Londër. Burime të sigurta thanë se ndalimi i tij ishte bërë pasi i ishte gjetur vendi ku ai jetonte prej vitesh. Lajmi u konfirmua nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë për gazetën “Albania” se Interpol Tirana, ka bërë të mundur gjetjen e tij dhe më pas kanë qenë efektivat e policisë britanike që e kanë vënë në pranga.
Burimet nga Policia e Shtetit, shtuan se Ilir Kumbaro është vënë në pranga rreth një muaj më parë në Londër, pasi ishte shpallur në kërkim për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, në vitin 1995, Remzi Hoxha.
Arrestimi
Kumbaro është arrestuar në kryeqytetin britanik, Londër, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpol, pasi kishte qenë për një kohë të gjatë në mbikëqyrje. Burimet e uniformave blu, sqaruan se pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim dhe me efektivët e policisë britanike, bënë të mundur që të gjenin vendndodhjen e tij dhe të vinin në pranga Kumbaron. Burime të sigurta nga radhët e drejtuesve të Policisë së Shtetit thanë se ai kishte ndërruar disa herë vendqëndrimin në Londër, që policia të mos binte në gjurmët e tij. Madje Policia britanike ka kërkuar disa kohë më parë, foton e Ilir Kumbaros, për të krahasuar me personin e arrestuar. Në dijeni të këtij arrestimi ka qenë edhe mësohet të ketë qenë vetëm prokurori i çështjes. Prokuroria ka nisur dokumentet për të bërë të mundur ekstradimin e tij, në Shqipëri, ku është duke u zhvilluar gjyqi për zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Kërkimi
Ish-drejtori i një prej drejtorive të Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro po kërkohej nga Prokuroria dhe Interpoli shqiptar me një emër të rremë. Pas dështimit për arrestimin e tij, duke e kërkuar me emrin e vërtetë, agjentët e hetimit kishin marrë informacione se Ilir Kumbaro fshihet jashtë Shqipërisë me një identitet të rremë. Dyshimet e Prokurorisë dhe Interpolit janë se që prej vitit 1999 kur mendohet se ka ikur nga Shqipëria. Ilir Kumbaro, njëri nga katër ish-shikasit e akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka qëndruar në Angli, por autoritetet e këtij vendi i kthyen përgjigje negative Prokurorisë dhe Interpolit shqiptar për arrestimin e tij. Me këtë emër, Interpol Tirana dhe Prokuroria shqiptare dhanë adresën e saktë të banimit të Kumbaros në Angli, por autoritetet britanike kthyen një përgjigje sipas të cilës “u verifikua subjekti i kërkuar nga ana juaj, por nuk ndodhet”. Në këto kushte, mësohet se urdhër-kërkimi ndërkombëtar për Ilir Kumbaron, është rinovuar tashmë dhe të dhënave mbi identitetin e tij i është shtuar edhe një emër i dytë, i rremë, që dyshohet se përdoret nga ish-zyrtari i Shërbimit Informativ për t’i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga policia. Ilir Kumbaro ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave, Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ. Tashmë, për “torturimin” dhe “rrëmbimin me pasoja të rënda” për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, ndodhen në bankën e të akuzuarve te Krimet e Rënda: Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor.
Dëshmia e Avni Koldashit
Në një prononcim në media, ish-kreu i Bazës së Vëzhgimit të SHIK-ut në Tiranë në vitin 1995, Avni Koldashi, rrëfeu se në tetor 1995 kishte shoqëruar personalisht Ziso Kristopullin dhe Remzi Hoxhën. Të parin e kishte çuar vetë deri në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, ndërsa të dytin, personin që nuk u gjend kurrë, ia kishte dorëzuar ish-shefit të tij Ilir Kumbaro, me urdhër të dhënë në radio nga Arben Sefgjini. Në intervistën e gjatë Koldashi akuzoi ish-shefin e vet, Arben Sefgjini, duke pretenduar se kishte zbatuar vetëm urdhrat e tij. Në lidhje me Ziso Kristopullin, Koldashi pohoi se kishte shkuar vetë në Sarandë dhe pasi e kishte “tërhequr për një bisedë operative”, dhe e kishte dërguar në Vain të Lezhës, ku e kishte dorëzuar sipas urdhrit të Sefgjinit. Edhe për Remzi Hoxhën, Koldashi pohoi të njëjtën gjë, madje pranoi se sipas udhëzimeve të dhëna nga Sefgjini kishte drejtuar operacionin për marrjen e tij te punishtja e duraluminit pranë “Frigoriferit”, pastaj e kishte shoqëruar deri në Laprakë, ku ia kishte dorëzuar Ilir Kumbaros. Pikërisht këta dy persona, ish-shefat e tij Sefgjini dhe Kumbaro janë fajësuar nga i bashkëpandehuri me ta Koldashi, ndërsa pritet që pas një jave të zhvillohet seanca e radhës së këtij procesi, që ende nuk ka nisur për shkak të njoftimit së të pandehurve.
19 Tetor 2008