E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet në Rinas, vrau në 1998-ën

10/06/2005  Policia i vë prangat Petrit Dodës, kthehej nga Belgjika. Dyshohet për pjesëmarrje në banda kriminale

Mariglen Mullai

TIRANË- Gjatë kthimit nga Belgjika, një 32-vjeçar nga Tirana bie në pranga nga punonjësit e komisariatit të Rinasit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, Petrit Doda kishte ekzekutuar me automatik Dritan Locin, ndërsa ngjarja ka ndodhur në zonën e Laprakës, vend në të cilin banonte vrasësi dhe viktima. Teksa vinte nga shteti i Belgjikës, në të cilin ndodhej prej vitesh, Doda është vënë re fillimisht nga punonjësit e sigurisë, të cilët më pas e kanë raportuar dyshimin e tyre paraprak te shefat e tyre. Disa minuta më vonë, emri i tij u fut në listën e të kërkuarve, nga ku rezultoi se bëhej fjalë pikërisht për 32-vjeçarin që kërkohej për vrasje. Petrit Doda banon në rrugën "Gjergj Legisi" dhe ishte dënuar nga gjykata e Tiranës me 18 vjet burg për vrasjen me kallashnikov të Dritan Locit, në bashkëpunim edhe me disa persona të tjerë. Tashmë, i arrestuari është dërguar në qelitë e Komisariatit të Rinasit dhe prej andej, sipas burimeve policore, ai do të transferohet në burg, ku do të vuaj dënimin e dhënë nga gjykata e Tiranës.

Dyshimet

Menjëherë pas prangosjes së Dodës, në ambientet e brendshme të qelive të paraburgimit kanë mbërritur disa ekspertë të kriminalistikës, të cilët janë duke e marrë në pyetje, në lidhje me pjesëmarrjen e tij të mundshme në bandat e njohura që mbizotëronin në Laprakë, në vitin 1998. Burime policore thanë se pyetjet janë përqëndruar te banda e "Kartelës", ndonëse asgjë nuk është konfirmuar, pasi deri dje në orët e vona vetë i arrestuari nuk e ka pranuar faktin se ishte anëtar i saj. Gjithsesi gjatë fundit të vitit 1997 e fillimit të 1998-ës, Eduard Ymeri, i njohur ndryshe si Kartela, kishte në bandën e tij me dhjetëra të rinj të Laprakës dhe ky fakt e ka intriguar grupin hetimor të bëjë të mundur sqarimin e pjesëmarrjes së Dodës në këtë bandë.

Vrasja

Sakaq, ngjarja në fjalë ka ndodhur në datën 4 maj të vitit 1998, në qendër të lagjes së Laprakës, kur Dritan Loci u qëllua me breshëri kallashnikovi nga tre të rinj, ku njëri prej të cilëve ishte i arrestuari 32-vjeçar. I plagosuri u dërgua fillimisht në Spitalin Ushtarak, por ndërroi jetë sapo mbërriti aty, pasi në trup iu gjetën shumë plumba, të cilët kishin prekur organet jetësore. Prej atij viti, Doda u largua jashtë shtetit dhe policia dyshon se ai ka lëvizur në Francë, Itali, Spanjë e së fundmi në Belgjikë, prej nga ai kishte vendosur të kthehej pranë familjes shtatë vjet pas vrasjes, me shpresën se emri i tij do të ishte harruar nga policia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›