E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jetonin në SHBA, “vret” gruan e më pas veten

10/06/2005  Të sapomartuarit Niko Polici nga Dibra dhe Urime Çeku, ishin njohur nëpërmjet internetit

Një dashuri e lindur në Amerikë nëpërmjet internetit, që pasoi me martesë dhe përfundon shumë shpejt në një tragjedi për shkak të një sherri. Prej vitesh, dy të rinjtë shqiptarë Urime Çeku, 20 vjeçe dhe Niko Polici, 27 vjeç, me origjinë nga Dibra, jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e kishin gjetur njëri-tjetrin nëpërmjet internetit. Mediat amerikane kanë publikuar dje tragjedinë e të rinjve të sapomartuar, ku dyshimet janë hedhur që Polici të ketë vrarë fillimisht të shoqen dhe më pas veten. Ata janë gjetur dy ditë më parë të vdekur në banesën e tyre, në rrugën “Beaver” në qytetin e Ansonias të Ohajos. Mediat amerikane kanë pohuar se policia e qytetit nuk ka shoqëruar ndonjë të dyshuar, pasi mendohet se ka qenë vetë 27-vjeçari Polici që ka vrarë fillimisht gruan.

Ngjarja

Dy ditë më parë, dy të rinjtë e sapomartuar janë gjetur nga një shok i Niko Policit, i cili ka njoftuar menjëherë policinë. Dyshohet që ai më parë të ketë vrarë gruan e tij, Urime Çekun dhe pastaj në gjendje të rëndë depresive është hedhur nga shkallët e katit të tretë të pallatit 170 të rrugës “Beaver”, ku jetonte. I vetëhedhuri është ndihmuar nga shoku i tij, i cili e ka transportuar në banesë. Kur policia ka hyrë në banesë, 27-vjeçari ka qenë ende gjallë. Por i riu dibran kishte pësuar trauma të rënda në kokë dhe kishte humbur vetëdijen. Niko Polici është shoqëruar menjëherë në spital, ku edhe ka vdekur një orë më vonë. Ndërkaq, policia e qytetit të Ansonias e ka gjetur 20-vjeçaren Urime Çeku të vdekur në krevat dhe të mbuluar. Nga këqyrja paraprake e ekspertëve, nuk është gjetur asnjë shenjë dhune apo gjaku në trupin e 20-vjeçares.

Hetimi

Policia e Ansonias është duke pritur rezultatet e autopsisë për të konkluduar në një version zyrtar rreth shkaqeve që çuan në vdekjen e 20-vjeçares Urime Çeku. Ndërkaq, hetuesit amerikanë kanë marrë në pyetje të afërmit e çiftit, ku nga pohimet e tyre janë hedhur dyshimet se 27-vjeçari Polici ka vrarë bashkëshorten. Sipas dëshmitarëve, çifti ishte ngrindur mes tyre mbrëmjen e së martës. Dyshohet që të ketë qenë pikërisht ky sherr që çoi në tragjedinë e dy të rinjve shqiptarë në Amerikë.

Martesa

Sipas mediave amerikane, 27-vjeçari Niko Polici kishte katër vjet që jetonte në SHBA. Ndërsa, Urime Çeku jetonte në Alaskë. Ata janë njohur me njëri-tjetrin nëpërmjet internetit. Pasi kanë rënë dakord që të kalonin jetën bashkë, ata kanë prezantuar edhe familjet e tyre, të cilat kishin kontaktuar me njëra-tjetrën dhe kishin organizuar martesën e çiftit. Nuk kishin shumë kohë që ishin martuar, por duket se gjithçka është kthyer në të kundërt.

Varrimi

Një kushëri i Niko Policit, Koli Hoxha, i cili edhe ky jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka organizuar dërgimin e trupit të 27-vjeçarit në vendlindjen e tij, në Dibër. Ai ka udhëtuar prej Eaterburnit ku jetonte dhe punonte, drejt Anstonias dhe këto ditë do të përcjellë për në Shqipëri trupin e Policit. Ndërsa trupi i pajetë e 20-vjeçares do të presë edhe disa ditë, deri në përfunimin e rezultateve të autopsisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›