Shkrumbohen 5 makina te Peugeot
10/06/2005 TIRANË- Gjatë prerjes së disa hekurave me gur fleksibël në servisin e firmës së njohur të makinave "Peugeot", pesë makina janë shkatërruar pothuajse plotësisht nga një zjarr i papritur, ndërsa njëra prej tyre ka dalë jashtë përdorimit. Sipas disa punonjësve të kësaj firme, flakët e zjarrit kanë rënë rreth orës 15.30 të ditës së djeshme, ndërsa dëmi që kanë shkaktuar mund të llogaritet deri në 80 mijë euro. Flakët kanë pushtuar menjëherë ambientet e brendshme të ndërtesës në autostradën Tiranë-Durrës, duke mos i lënë kohë punëtorëve të reagojnë. Sipas burimeve në vendin e ngjarjes, mësohet se shkak kanë qenë punimet me gur fleksibël që bënte një i punësuar pranë një grumbulli mbeturinash. Shkëndijat, të ndihmuara dhe nga benzina e derdhur në tokë, pranë kanalit kullues, janë kthyer në flakë, të cilat kanë pushtuar 5 makina të klientëve të ndryshëm, të cilët kishin sjellë mjetet e tyre për riparime në pikën e servisit të "Peugeo". Ndërkaq, mësohet se zjarrfikëset kanë mbërritur në pak minuta në vendin e ngjarjes, izoluan fillimisht vatrën e zjarrit, ndërsa më pas mundësuan shuarjen e tij. Një gjendje e tillë, sipas punëtorëve të këtij servisi, ka zgjatur për më tepër se 20 minuta, ndërsa nga zjarri u përfshi vetëm kati i parë i ndërtesës. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policore, ndërsa mësohet se punëtori që ishte duke punuar në pikën e servisit është marrë në pyetje nga uniformat blu, të cilat tashmë po sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes. Ende nuk është sqaruar saktë vendimi që do të ndërmerret me klientët që kishin çuar mjetet e tyre për riparim në këtë pikë servisi.