E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy automjete të mbeturinave mbahen peng në Helmës

10/06/2005  Banorët kundërshtojnë policinë

DURRES - Paralajmërimet e komunës së Helmësit në Kavajë si dhe të banorëve në pesë fshatra përreth në përshkallëzimin e protestës së tyre, ka përfunduar dje në marrjen peng të dy automjeteve të një ndërmarrjeje, e cila ka marrë përsipër pastrimin e qytetit të Kavajës. Dy javë më parë, kryetari i kësaj komune, Famir Çelhaka, si dhe banorët që kanë dalë në mbështetje të tyre, kanë kërkuar që mbeturinat urbane të bashkisë së Kavajës të mos grumbulloheshin më në Helmës, por të gjendej një vend tjetër. Konflikti ka lindur që para 12 viteve, në kohën që bashkia e Kavajës ka vendosur të hedhë mbeturinat e saj në territorin e komunës së Helmësit, ku aktualisht janë depozituar mijëra tonë mbetje urbane, organike dhe inerte.

Indiferentizmi i strukturave shtetërore ka provokuar, sipas kryetarit të komunës Helmës, Çelhaka, të bllokojnë në territorin e grumbullimit të mbeturinave dy automjete të mbushura me mbeturina si dhe drejtuesit e tyre, ndërkohë që edhe roja i firmës është mbajtur jashtë së bashku me shoferët.

Plehrat që hidhen në Xhixha të Helmësit, vijnë nga mbetjet urbane që grumbullon bashkia e Kavajës dhe komuna e Golemit, por kjo gjë ka hasur në kundërshtimin e komunës së Helmësit dhe banorëve të fshatrave Shtollëz, Momël, Kazaz, Gjinaj dhe Habilaj. Përfaqësues të këtyre fshatrave kanë bllokuar rrugën që në orën e para të mëngjesit të djeshëm dhe nuk kanë lejuar drejtuesit e dy makinave pastruese që të derdhin mbeturinat në vendin ku ata çdo ditë i hidhnin ato.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia për të mbajtur situatën nën kontroll, por pa mundur të lirojnë makinat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›