E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet nënoficeri mashtrues

23/02/2005  Haxhi Isufi i kishte marrë 9500 euro një qytetari

Një nënoficer i forcave ajrore është arrestuar ditën e hënë në mbrëmje nga inspektorët e antikrimit ekonomiko-financiar. Burime zyrtare nga kjo zyrë, bëjnë të ditur se, Haxhi Isufi kishte mashtruar një qytetar nga Librazhdi, duke i marrë 9500 euro në këmbim të një vize amerikane. Dyshohet se i prangosuri ka qenë bashkëpunëtor me mashtruesin Myrto Hoxha, tashmë të arrestuar.

Denoncimi

"Haxhi Isufi më ka mashtruar. Më ka marrë 9500 euro, duke më premtuar një vizë amerikane. Ka një vit që ia kam derdhur paratë në dorë. Tani ai më shmanget dhe jo vetëm vizën që nuk ma dha, por nuk po kujtohet as të më kthejë paratë. Ai punon te Regjimenti i Helikopterëve, në Farkë. Është nënoficer atje", kështu e nisi denoncimin e tij para inspektorëve të SAEF-it, një qytetar nga Librazhdi. Ai vijoi të rrëfente më tej se, me të akuzuarin ishte njohur nëpërmjet një mikut të tyre të përbashkët. Ky i fundit kishte dalë garant që Isufi nuk do ta mashtronte. Si motiv për besueshmërinë e 44-vjeçarit, miku kishte nxjerrë faktin që, Haxhi Isufi ishte me punë të rëndësishme në Regjimentin e Farkës. Kaq i kishte mjaftuar hallexhiut që të binte pre e mashtrimit. Nuk është ende e sigurtë nëse ndërmjetësi të jetë përzier në historinë e mësipërme. Por deri më tani, sipas gjasave, ai mbetet jashtë lojës së nënoficerit dhe 9500 eurove. Nga dita e dorëzimit të parave e deri te denoncimi, bëhet plot 1 vit.

Dëshmia

Policia e Tiranës vuri menjëherë në pranga të akuzuarin për mashtrim. Të njëjtat burime saktësojnë se dëshmia e tij para oficerëve të policisë gjyqësore ndryshonte kryekëput nga ajo e qytetarit të Librazhdit. Haxhi Isufi deklaroi para bluve se, nuk kishte gisht në historinë e 9500 eurove. "Nuk ia kam marrë unë paratë. Është e vërtetë se e kam njohur, por unë nuk merrem me nxjerrjen e vizave. Unë e adresova tek Myrto Hoxha, pasi ai ishte i vetmi person që njihja dhe që merrej me vizat false", dëshmoi nënoficeri. Por, pohimet e tij e kanë përfshirë atë dhe më keq në historinë e falsifikimeve dhe mashtrimeve. Dyshohet tashmë, se ai ka qenë implikuar në rrjetin ku vepronte Hoxha, tashmë i arrestuar nga policia për trafik vizash. Materialet iu kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›