E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimet e Rënda, Gjykata e Lartë të vendosë për fatin e Erjol Skëndos

23/02/2005  Mosmarrëveshjet midis Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, për kompetencën ose moskompetencën për gjykimin e të pandehurit Erjol Skëndo, do t'i zgjidhë Gjykata e Lartë. Ligji për heqjen e disa veprave penale nga kompetenca e Krimeve të Rënda, ka futur në mosmarrëveshje të gjitha gjykatat e rretheve. Dhe i pandehuri Erjol Skëndo, i cili pak kohë më parë mori pafajësi nga gjykata, për veprën penale të vjedhjes me armë, ndodhet në këtë ngatërresë, ndërkohë që nuk ka mundur të shijojë ende lirinë, edhe pse ka një plagë të rëndë në krah, pas plagosjes që i bëri gjyqtari Petrit Aliaj. Ndërsa ishte duke u hetuar për veprën penale të vjedhjes me dhunë, Erjol Skëndo mësoi se, Prokuroria bënte gati një akuzë të re për të. Trafik i të miturve për qëllime fitimi, parashikuar nga neni 128 b i Kodit Penal. Ndërsa për veprën e parë u gjykua dhe mori pafajësi nga Krimet e Rënda, për veprën e dytë, Skëndo nuk e di ende se nga kush do të gjykohet. Sipas prokurorit Behar Dibra, i pandehuri Skëndo, që ndodhet në burg pas kallëzimit penal të bërë nga gjyqtari Petrit Aliaj i Sarandës, tashmë i pezulluar, duhet të gjykohet nga Shkalla e Parë Sarandë, pasi çështja në këtë gjykatë është regjistruar më 3 shtator 2004, ndërkohë që ligji ka dalë më 23 tetor. Sipas prokurorit, ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Ndërsa avokati Plator Bylybashi nuk ishte i këtij mendimi. Ai i kërkoi gjykatës të mos pranonte kërkesën e prokurorit për ta gjykuar çështjen në Sarandë. Gjykata e Krimeve të Rënda e dërgoi çështjen për zgjidhje në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, nëna e të pandehurit ishte shumë e irrituar pas dhënies së vendimit. Ajo tha se për tekat e një gjyqtari, djali prej 17 muajsh qëndron në arrest burgu, duke vuajtur nga dhimbjet që i shkakton krahu i plagosur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›