Ledio Ruçi, dëshmitarët shtyjnë procesin
23/02/2005 Shtyhet për të disatën herë procesi gjyqësor kundër të pandehurit Ledio Ruçi, djali i Gramoz Ruçit, deputet i Partisë Socialiste. Këtë proces, sipas gjykatës, e mban peng i dëmtuari Artur Caka. Ngjarja ndodhi më 2 shkurt 2004, në një prej lokaleve të „Bllokut“. Në mes të kësaj historie është një femër, emri i së cilës është përmendur në seancë dhe ka të bëjë me një mis. Organi i akuzës nuk ka arritur të sjellë para gjykatës të dëmtuarin Artur Caka, ndonëse në drejtim të tij janë nisur disa herë fletëthirrje. Avokati Ali Meta, tha dje se dëshmitarët e akuzës do të paraqiten të gjithë. Sipas tij, ngjarja do të zbardhet dhe do të dalë e vërteta në pah, duke shtuar se i pandehuri është i pafajshëm. Ledio Ruçi nuk do të marrë pjesë në asnjë nga seancat gjyqësore, pasi ka dhënë një prokurë të posaçme, të firmosur dhe të noterizuar. Më pas, avokati Meta, shprehet se nuk e di ku ndodhet klienti që mbron në gjyq dhe nuk e di me se merret. Grindje banale. Kështu e ka klasifikuar fillimin e sherrit midis Ledio Ruçit dhe disa djemve të tjerë, që mbetën të dëmtuar, organi i Prokurorisë. Ledio Ruçi, në datën 2 shkurt, qëlloi me armë mbi Artur Cekën. Ndonëse arma me të cilën u qëllua i dëmtuari nuk është gjetur, akuza ekziston në dosje. Nga ana e avokatit, bëhet e ditur se Ledio Ruçi, përveçse është i akuzuar, është edhe i dëmtuar. Kjo gjë ka lehtësuar disi pozicionin e tij.