E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grabitja e "Alfabank", vëllezërit Daja, pranojnë fajësinë

23/02/2005  TIRANË – Ka mbetur në kushtet e tentativës grabitja e arkës së "Alfabank", në gusht të vitit 2004, nga dy vëllezërit Daja, nga Vlora. Megjithëse ata arritën të nxirrnin nga banka shumën prej 7 milionë lekësh, nuk mundën t'i përvetësonin, pasi ranë në duart e policisë shumë shpejt. Alban dhe Ermal Daja, nga Vlora, u paraqitën dje në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, për të dëgjuar akuzat e ngritura kundër tyre. Ishte seanca e parë gjyqësore nën drejtimin e gjyqtarit Albert Meçe. Mosrespektimi i orarit të gjyqeve nga ana e gjykatës bëri që, prokurori Besnik Muçi të largohej në një gjyq tjetër. Ndërkohë që të pandehurit e kanë pranuar fajësinë, që në fazën e hetimeve paraprake. Avokatja Klojda Dashi tha se, në seancën e parë do të kërkojnë gjykim të shkurtuar, duke i dhënë mundësinë akuzës të zgjidhë çështjen në gjendjen që janë aktet.

Ngjarja

Më 6 gusht 2004, vëllezërit Daja, nga Vlora, u nisën me mendimin se do të grabisnin shtetasin Elton Guri, arkëtar i shoqërisë "Vodafone", me të cilin donin të hakmerreshin. Grabitja do të kryhej tek "Alfabank", klient i së cilës ishte edhe shoqëria. Sapo hynë në ambientet e bankës, shtetasi Elton Guri u gjend përballë një fakti. I pandehuri Ermal Daja mbante në dorë një pistoletë lodër. Me këtë armë, ai i afrohet Gurit, duke i thënë që të linte paratë dhe të largohej, ndryshe do të gjendej në një pozitë të vështirë. Në thes ndodheshin 7 milionë lekë të reja. Por skenari i pregatitur nga dy vëllezërit, duket se nuk vazhdoi gjatë. Ata u diktuan nga roja i bankës, i cili ndërhyri menjëherë dhe arriti të neutralizojë të dy keqbërësit. Ndërkohë, të pandehurit, të gjendur përballë faktit të kryer dhe të arrestuar në flagrancë, nuk u mbeti gjë tjetër, vetëm të pranonin akuzën dhe të ngrinin një alibi, e cila do t'i lehtësojë në dhënien e vendimit. Ngjarja ndodhi në një kohë kur policia ishte e përqendruar në shuarjen e një zjarri, që përfshiu ambientet e një magazine lëndësh djegëse, përballë "Birra Tirana". Ermali ka shpjeguar se ishte ai që e skenoi dhe më pas tërhoqi vëllain e tij drejt rrugës së krimit. Ai i shpjegoi gjykatës se, që nga Vlora është nisur me mendimin për të kryer një hakmarrje personale. E kishte fjalën për shtetasin Elton Guri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›