E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zhduket nga Senatoriumi një 29-vjeçare

23/02/2005  Mimoza Grada është larguar nga shtëpia në datën 17 shkurt

Niset për t'u shtruar në Senatorium dhe përfundon e zhdukur. Mimoza Grada rezulton e humbur që nga data 17 shkurt. I shoqi, Zefi, denoncon në Komisariatin nr.3 historinë e gruas së tij 29-vjeçare. Policia nis kërkimet për gjetjen e saj.

Zhdukja

Një rast më tepër i zhdukjes së një gruaje. "Mimoza 2" largohet nga shtëpia, por pa i marrë fëmijët me vete. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.3, bëjnë të ditur se, rreth orës 16.00 të së hënës, një qytetar ka denoncuar zhdukjen e së shoqes. Zef Grada, me banim te lagjja e quajtur "Bregu i Lumit", rrëfen se bashkëshortja e tij, Mimoza, ka humbur pa lënë gjurmë, që në datën 17 shkurt. "E përcolla të mërkurën e shkuar për në Senatorium. Mimoza vuan nga sëmundja e mushkërive dhe kishte nevojë të shtrohej. Ose të paktën kështu më tha. Erdhi dhe e mori e ëma e saj, pasi do të kujdesej ajo me shtrimin në një dhomë spitali. Që nga ajo ditë nuk e pashë më", rrëfen denoncuesi. Më tej, 46-vjeçari ka saktësuar se i duhej të qëndronte me fëmijët, ndaj nuk ka shkuar dhe ai për ta shtruar në spital të shoqen. Ai pretendon se, duke patur punë gjatë gjithë këtyre ditëve, nuk ka mundur të shkojë për ta vizituar 29-vjeçaren, veçse të hënën në mesditë. Por për habinë e tij, askush në Senatorium nuk kishte dijeni për ndonjë të shtruar me emrin Mimoza Grada. Megjithë përpjekjet e Zefit për ta gjetur, ishte mëse e pamundur. Ajo nuk rezultonte e shtruar në asnjë dhomë të këtij spitali. Kërkimet e tij nuk kishin reshtuar këtu, pasi me të dalë nga Senatoriumi ai ishte drejtuar në të gjithë qendrat spitalore në kryeqytet. E sërish nuk kishte arritur të gjente një shenjë të gruas së tij të re. Paskëtaj vendosi ta denonconte humbjen e saj në komisariat, me shpresën se blutë mund ta ndihmonin për ta gjetur shëndoshë e mirë.

Hetimet

Policia kriminale e Komisariatit nr.3, i ka shtrirë hetimet mbi ngjarjen, në lidhjen problematike martesore të bashkëshortëve. Sipas të njëjtave burime, mësohet se grupi hetimor është i mendimit se Mimoza Grada ka shfrytëzuar sëmundjen e saj të mushkërive për të shpëtuar nga kthetrat e të shoqit. "Dëshmia e Zef Gradës, konfirmoi para nesh faktin se, ai kishte marrëdhënie të ndera me gruan e tij. Ajo ishte 17 vjet më e re se ai, ndaj problemet duhet të kenë patur karakterin e mospërputhjes së mendësisë së tyre", shprehen uniformat. Çifti ka patur në vijimësi grindje për motive xhelozie. Anipse e zhdukura ishte nëna e fëmijëve të Zef Gradës dhe nuk dilte thuajse fare nga shtëpia, ai dyshonte se mos ajo e braktiste. Ka gjasa që Mimozës t'i jetë bërë jeta e padurueshme me bashkëshortin 46-vjeçar. Ka parë si të vetmen rrugëzgjidhje largimin nga vatra familjare, me motivin e shtrimit në spital, pasi ajo vuante prej kohësh nga mushkëritë. Nuk përjashtohet të ketë mashtruar dhe të ëmën, që ta shoqëronte deri në Senatorium. Më pas, ndoshta i ka rrëfyer qëllimin e vërtetë të vizitës në spital. Me ta parë veten larg dhunës së burrit, ajo ia ka mbathur për të gëzuar lirinë e posafituar. Policia nuk ka mundur të gjejë ende asnjë gjurmë të 29-vjeçares. Sakaq, nëna e saj thotë se të bijën e ka shtruar në Senatorium, ka qëndruar me të gjer pasdite vonë dhe më pas është larguar për në shtëpi. Ajo bën të paditurën mbi adresën e të zhdukurës. Kërkimet për gjetjen e Mimozës vijojnë.

"Moda" e arratisë së grave

Harku kohor dhjetor 2004 - shkurt 2005 ka shënuar një numër të madh të largimit të grave nga shtëpia apo zhdukjes së tyre. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Rendit, e para që çeli siparin e kësaj dukurie ishte Irena Seli. Ajo u zhduk në rrethana të mistershme në sheshin e trageteve në Durrës, teksa kthehej nga Italia me të shoqin, Agim Mushën. Megjithë kërkimet e policisë dhe hetimet e Prokurorisë, nëna e dy fëmijëve nuk është gjetur ende. Për të vijuar më tej me Mimoza Susajn. 27-vjeçarja me katër fëmijë, nga 10 deri në 1 vjeç, u largua nga shtëpia e të vëllait, ku qëndronte e fshehur nga mëria e të shoqit. Susaj u gjet së bashku me vocërrakët pak ditë më pas, në misionin e bamirësisë "Nënë Tereza". E treta në listë ishte Anila Hysenllari. Një konflikt me të atin, mjaftoi që vajza të arratisej nga shtëpia. Pak ditë pas denoncimit, ajo u rikthye sërish pranë gjirit të familjes. Si të mos mjaftonin këto 3 raste, në Tropojë u regjistrua dhe një rast tjetër syresh. Një grua, nënë e 3 fëmijëve, ishte larguar disa ditë nga shtëpia, pas keqtrajtimit të të shoqit. Denoncimin për humbjen e bëri i vëllai, me banim në Tiranë. E zhdukura u dorëzua në komisariatin e Bajram Currit, dy javë pas zhdukjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›