E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet një i dyshuar për atentatin ndaj Lamajt

20/03/2005  Policia dyshon se në makinë ishte dhe Dritan Dajti që ka mundur të arratiset sërish

Arrestohet Emiliano Shullazi, arratiset Dritan Dajti, prangoset italiani ish-kapiten i "La Vikinga". Një prej pesë personave prej të cilëve të ndaluar dyshohet të jetë i implikuar në atentatin ndaj ish-presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj. Pasi kanë thyer postbllokun e policisë arratia nuk ka zgjatur shumë. Shullazi nuk ka qenë person në kërkim, pohojnë burime nga akuza, por hetimet e kanë klasifikuar atë të dyshuar për një vepër të rëndë penale.

Postblloku

Shmangia nga kontrolli në postbllokun e ngritur në një nga kryqëzimet e Durrësit, ka bërë që në një automjet, me targa të huaja, AT 347XV, të bllokohen katër armë zjarri, si dhe të ndalohen tre shtetas, mes të cilëve dhe një italian, ish-kapiten i “La Vikingës”. Ndërkohë, mësohet se janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Dyshimet e policisë flasin se i ikuri ka gjasa të jetë Dritan Dajti, që u arratis më 17 nëntor 2003 nga mjediset e gjykatës së Tiranës, në pritje të zhvillimit të një seance të procesit. Gjithashtu burime nga Ministria e Rendit Publik pohojnë se një i ri, me mbiemrin Borova,ka qenë në mjetin e arratisë. Në makinë, përveç katër pistoletave, është gjetur dhe një radio dore me frekuencat e policisë.

Prangosja

Përpjekja e drejtuesit të mjetit, nga Durrësi, Landi Baci, ka vënë në dyshim policinë e postbllokut në hyrje të portit dhe për këtë arsye unifromat blu e kanë ndjekur makinën nëpër rrugicat e lagjes nr.3. Policia ka arrestuar në flagrancë 32-vjeçarin Baci, shtetasin italian Corvino Claudio, 48 vjeç, i lindur në Leçe, ndërkohë që tre persona të tjerë, që kanë udhëtuar në të njëjtën makinë, kanë mundur të largohen. Nga verifikimet që policia e Durrësit ka kryer mbi ientitetin e të arrestuarve ka rezultuar se njëri prej tyre kishte përdorur gjeneralitete të rreme. Nga burime të policisë së Durrësit mësohet se i arrestuari me emrin Ervin Banaca, është Emiljano Shullazi, dhe emri që dispononte në dokumentacion, ishte vetëm një ndryshim gjeneralitetesh.

Italiani

Të njëjta burime policore pohojnë se italiani Corvino Claudio ka qenë kapiten i tragetit “La Vikinga”, ndërsa ndërtuesi durrsak Baci, ishte i pajisur me leje për të mbajtur pistoletë, është i martuar me një shtetase italiane. Liria për shtetasin e tretë të arrestuar, Ervin Banaca, i datëlindjes 1976, banues në Tiranë, ka zgjatur vetëm pak kohë, pasi policia ka mundur ta gjejë të strehuar në një banesë në pallatin afër vendit të ngjarjes.

Burime policore bën të ditur se janë identifikuar edhe emrat e dy personave të tjerë, Elidon R. dhe Arlind D. po nga Tirana.

Ish-kapiteni italian ka qenë me armë pa leje me fishekë në gojë në momentin e arrestimit

Baci dhe italiani erdhën nga Rinasi të premten

Policia ka gjetur në makinë një pistoletë “Bereta”, e kalibrit 9 mm me 14 fishekë, një pistoletë “Clok”, e kalibrit 9 mm, me 17 fishekë, një “Zastava” e kalibrit 7.65 mm dhe pistoletë belge 9 mm, dy prej të cilave kishin fishekë në gojë. Krahas katër pistoletave, policia ka sekuestruar edhe një radio dore, tip ICOM, në të cilën ishin regjistruar edhe kanale, me të cilat punon Policia e Shtetit. Materialet e sekuestruara nga policia dhe shmangia nga kontrolli në postbllok kanë vënë në dyshim blutë. Drejtori i policisë së Durrësit, kryekomisar Muharrem Bardhoci, i cili ka drejtuar vet operacionin e suksesëshëm për kapjen e personave, ka shprehur dyshime për ekzistencën e një rrjeti kriminal. Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit ka thënë gjithashtu se pronari i një firme ndërtimi, Landi Baci si dhe italiani Corvino Claudio kanë mbërritur nga Italia në Rinas të premten në ora 14.20 dhe që andej ata kanë udhëtuar me tre tiranasit drejt Durrësit. Nga pyetja e të ndaluarve mësohet se prania e tyre në të njëjtën makinë me kryeqytetasit ka qenë rastësi, por kjo nuk ka bindur policinë, që sapo ka nisur hetmet e para pas arrestimeve.

Arratisja e dytë e Dritan Dajtit

Në autoveturën me targa të huaja, ku u arrestuan një italian një biznesmen dhe Emiljano Shullazi, dyshohet të ketë qenë edhe Dritan Dajti, i cili më 17 nëntor të vitit 2003, u arratis nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Duket se edhe këtë herë ai i ka lënë në baltë agjentët e policisë duke u shpëtuar prangave. Tre nga personat që ndosheshin në autoveturën me targa të huaja AT 347 XV kanë mundur të largohen me shpejtësi, ndërsa policia i ka ndaluar. Vetëm njëri prej të arratisurve është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerët ende nuk janë kapur, thonë burimet e policisë së Durrësit. Gjatë ndjekjes, agjentët e policisë kanë arritur të identifikojnë njërin prej të arratisurve, që dyshohet të jetë Dritan Dajti. Ndërsa tjetri mendohet të jetë një prej pinjollëve të fisit Borova. Dritan Dajti u largua në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta, para se të fillonte seanca kundër tij. Nga hetimi rezultoi se gjithçka ishte e planifikuar. Dajti arriti të marrë një pistoletë në banjon e gjykatës, ku mendohet se ishte vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, ai iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër. Por nuk ngurroi që pistoletën t'ia drejtonte edhe prokurorit, që në ato moment po bëhej gati për t'u futur në sallën e gjyqit. Dajti u arratis me pranga në duar. Doli nga dera kryesore e gjykatës dhe ndonëse u rrëzua një herë, policia nuk mundi ta neutralizojë. Ai hipi në një motor, që drejtohej nga një person tjetër, i cili e priste para portës së rrethimit të gjykatës. Motori u largua drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës duke humbur gjurmët, ndërsa një person tjetër ende i paidentifkuar, qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë. Dajti është dënuar me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të vrasjes. Ai po gjykohet edhe për veprën penale të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit

Dy atentatet që morën jetën e biznesmenit

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit thonë se një nga të arrestuarit dyshohet si i implikuar në atentatet e drejturara kundër biznesmenit të njohur Vajdin Lame,i cili u vra më 28 shkurt të këtij viti. Sipas burimeve të policisë një nga të arrestuarit mendohet se ka bashkëpunuar në atentatin e TVA më 16 tetor të vitit të kaluar, ku Lame mbeti i plagosur lehtë. Por prokuroria ka konkluduar se mes ka lidhje mes dy atentateve dhe dyshohet të jetë e njëjta dorë që qëlloi Lamen. Tetorin e vitit të kaluar, Lame së bashku me inxhinerin Xhevahir Ngjeqari dhe gazetarin Arjan Çani po dilnin nga studioja e TVA-së, kur nga një autoveturë me targa të huaja është dherdhur breshëri automatiku ndaj tyre. Lame dhe Ngjeqari mbetën të plagosur, ndërsa Çani ka shpëtuar pa asnjë plumb. Atentatorët u larguan dhe e dogjën makinën tek shkolla e kuqe. Por prokuroria gjeti në bagazh dy karikatorë automatiku të mbushur me fishekë të bashkuar me nastro. Në nastro u gjetën gjurmë gishtërinjsh të cilat u krahasuan me ato të të skeduarve nga policia, por që rezultuan të mos ishin të asnjë rit prej tyre. Ndërsa mëngjesin e 28 shkurtit rreth orës 00.40 lame u ekzekutua nga një sasi eksplozivi që ndodhej në ashensor. Ai po ngjitej për në banesë së bashku me mikun e tij Artan Arsi kur një bombë me telekomandë ika shpërthyer duke i masakruar. Nga hetimet rezultoi se eksplozivi që i përkiste familjes C, ishte aktivizuar me anë të një celulari të montuar aty. Burimet e policisë thonë se dyshohet që në ashensor të kenë qenë të montuara mikrokamera me qëllim që bindeshin për prezencën e objektit në ashensor. Dyshohet se pamjet filmike të mikrokamerave janë ndjekur me anë të një komjuteri portativ.

Sekuestruar

Pistoletë "Bereta" kalibër 9 milimetër me 14 fishekë

Pistoletë "CLOK" me 17 fishekë

Pistoletë "Zastava"

Pistoletë belge

Radio dore ICOM me frekuencat e Policisë së Shtetit

Arrestuar

Ervin Banaca (Emiliano Shullazi)

Corvino Claudio

Landi Baci

Dyshhet të kenë ikur

Dritan Dajti

I. Borova

16 tetor 2004

Persona ende të paidentifikuar qëlojnë te TVA mbi Vajdin Lamajn dhe inxhinier Xhevahir Ngjeçarin, ku biznesmeni u plagos lehtë

28 shkurt 2004

Ish-presidenti i federatës së boksit teksa ngjitje për në banesë në ashensor shpërthen tritoli dhe Lamaj humbet jetën. Vdes dhe miku 8i tij Artan arsi që shte me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›