E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha ftesë Selamit dhe Meksit për të kandiduar nën siglën e PD-së

20/03/2005  Kryetari i PD-së deklaron se për themeluesit e partisë ka gjithnjë vend në listën e kandidatëve

"Ftesa për themeluesit e partisë ka qenë e drejtë e ndershme dhe e palëkundur"

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë dje se themeluesit e partisë janë të lirë të kthehen për të kandiduar nën siglën e PD-së, duke pranuar dhe ekzistencën e një ftese për Eduart Selamin, apo Aleksandër Meksin. Lideri demokrat tha se nga ky proces nuk mund të përjashtohet askënd, duke sjellë si shembull për këtë rikthimin e Genc Rulit, Arben Imamit apo Gramoz Pashkos, që pritet të kandidojnë nën siglën e PD-së në kryeqytet. Berisha shtoi se ftesa ka qenë e njëjtë për të gjithë themeluesit e PD-së". Themeluesit e PD-së do të kandidojnë. Themeluesit dihen se kush janë, ata janë të mirëpritur. Nuk e di nëse të gjithë do t'i përgjigjen kësaj thirrjeje. Ftesa ka qenë e drejtë e ndershme dhe e palëkundur. Kur them themelues, nuk mund të zgjedh që të them ky është themelues dhe ky jo. Unë jam realist në vlerësimin e gjërave. Ndonëse them se nuk kam punuar asnjëherë në jetën time, në asnjë moment për historinë personale. Por sytë për të tjerët nuk i mbyll", tha Berisha.

Saranda

Duke folur për kandidaturat e kundërshtarit, Berisha tha se kandidati më i dobët në zgjedhjet e ardhshme është vetë Kryeministri Nano. Sipas tij, Kryeministri e lëshoi zonën e tij në Tepelenë nga frika e humbjes, por, sidoqoftë, sipas Berishës, kjo lëvizje nuk do ta shpëtojë Nanon nga humbja e sigurtë në Sarandë. Gjithsesi, kreu demokrat nuk pranoi të bënte të ditur kandidaturën që do të përballet me Kryeministrin. "Kandidati ynë do të fitojë në Sarandë, dhe kjo është e sigurt. Fatos Nano është kundërshtari më i qullët që kemi përpara. Eshtë i pashpresë, iku nga Tepelena, po, gjithsesi, kjo nuk do ta shpëtojë nga humbja. Ai është bërë korbi i disfatës së PS-së, meqenëse atij i pëlqen të jetë korb vetmitar. Opozita po i përgatit strategjinë, që do ta nxjerrë në pension para kohe", tha Berisha. Nga ana tjetër, kreu demokrat konfirmoi edhe një herë kandidaturën e tij në qytetin e Kavajës. "Unë aty ku kam kandidar nuk lëviz. Si mund t'i kthej shpinën elektoratit të Kavajës. Pse ka mashtruar Nano elektoratin e Tepelenës dhe ikën nga sytë këmbët, se e përzunë, unë s'kam pse ndjek shembullin e tij. Madje, unë do të shkoj t'i përgëzojë tepelenasit se u kam një borxh", tha Berisha.

Përshtatja e kandidatëve

Lideri i PD-së u shpreh se ndërrmi i zonave në kryeqytet të kandidaturave fituese të zgjedhjeve të 2001, është një procedurë normale, që ndërmerret në varësi të aktivitetit politik të kandidatit. Sipas tij, përzgjedhja e kandidaturave vazhdon dhe për secilin kandidat po mendohet për zonën më të përshtatshme. "Deputetët fitues të kryeqytetit vazhdojnë të jenë në Tiranë, dhe nuk janë larguar për asnjë moment nga Tirana. Për shkak të aktivitetit të tyre politik, ata thjesht janë përshtatur. Kryetari i PS-së, dhe kryetari i qeverisë ia mbathi me dhjetëra kilometra larg, duke braktisur zonën e tij, ndërsa për opozitën ndërrimi i zonave është një gjë krejt normale. Për Tiranën bëmë një përzgjedhje të kandidaturave dhe po vazhdojmë të përzgjedhim akoma", tha Berisha. Sipas tij, në listën e kandidaturave janë thuajse të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e Kryesisë së PD-së, gjithsesi përjashtohet mundësia që ndokush prej tyre të mbetet jashtë listës së kandidimit. "Unë mendoj se drejtuesit e PD-së në tërësi do të kandidojnë, por unë nuk mund t'i përcaktoj që tani një për një. Mendoj se nuk është momenti që të ndjellim sherre se kush do mbetet jashtë listës, kur ne as vetë s'e dimë", tha Berisha. Deri më tani nga PD-ja janë përcaktuar emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e kryeqytetit. Vetë lideri demokrat Berisha ka preferuar t'i mbajë të fshehur emrat e kandidatëve për deputetë për të shmangur debatet, që mund të shkaktohen përpara zhvillimit të punimeve të Kuvendit Kombëtar, që pritet të mbahet më datat 22 dhe 23 prill të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›