Zherard: Nuk di të ndalem
20/03/2005 Kapiteni i Liverpulit, Stiven Zherard, i ka hedhur poshtë të gjitha kritikat që rëndojnë mbi të, lidhur me mungesën e përkushtimit ndaj skuadrës së tij. Përkundrazi, ai ka bërë të ditur se do të japë maksimumin, në mënyrë që të ndihmojë Liverpulin, për të siguruar me çdo kusht vendin e katërt në renditje. Në 12 muajt e fundit mesfushori anglez ishte përfshirë gjithmonë në spekullime, për t'u transferuar te Çelsi apo Real Madrid. Por, Zherard në prag të derbit me Evertonin gjen momentin, për të shprehur dëshirën dhe përkushtimin që ka për të dhënë gjithçka me fanelën e Liverpulit. "Unë nuk mendoj se mund të ekzistojnë dyshime, lidhur me mënyrën se si luaj për Liverpulin, ka thënë Zherard. Jam sjellë gjithmonë siç jam mësuar nga familja ime dhe sigurisht, e kuptoj se duhet të jap akoma maksimumin për skuadrën e Liverpulit. Kam mësuar të luaj futboll nëpër rrugët e Haiton dhe shpeshherë grindesha me djemtë më të rritur. Asokohe nuk mund të gjeje asnjë shkas për t'u ankuar, sepse nuk ta lejonin të tjerët. Megjithatë, unë ia dola mbanë. Tashmë, unë jam regjur me të tilla mësime, të cilat më kanë çuar deri në këtë pikë me karrierën time. Mundimet e dikurshme më kanë bërë që të kem më shumë etje për të fituar dhe për t'u ngjitur në majat më të larta të futbollit. Nuk mendoj se, mënyra se si unë luaj futboll tani, ndryshon shumë nga mënyra e lojës së dikurshme. Prandaj, për asnjë çast dëshira ime për të luajtur futboll me ngjyrat e Liverpulit, nuk ka për të rreshtur. Fitorja në derbin me Evertonin, do të jetë treguesi më i mirë për përkushtimin tim me këtë skuadër".