Prokuroria dyshon se fqinja e Mushos gënjen për Irenën
20/03/2005 Gruaja me inicialet Z.K., e cila u prononcua në media dhe dëshmoi para hetuesve të Krimeve të Rënda, se e kishte parë Irena Selin poshtë ballkonit të saj rreth datave 16 ose 17 dhjetor 2004, dyshohet se gënjen. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat sqaruan se dëshmitarja kishte pohuar se këtë fakt ia kishte thënë një plaku me të cilin kishin miqësi, i cili banonte dy kate sipër tij. Burimet thonë se ky moment i hetimit është verifikuar edhe më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe rezulton i pavërtetë. Kjo, pasi personi që gruaja pretendon se i ka thënë se Irena është gjallë, nuk e ka pohuar një fakt të tillë. Burimet sqarojnë se deklarimet e saj janë të pavërteta, por nuk kanë për të filluar hetim ndaj saj për dëshmi të rreme, pasi nuk është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Disa ditë më parë, për disa orë, Agim Musho, bashkëshorti i Irena Selit dhe vëllai i saj, Ylli Seli, ballafaquan versionet e tyre para hetuesve të Krimeve të Rënda. Por nga hetimi ende nuk është arritur të konkludohet nëse Irena është gjallë apo jo, përfundojnë burimet. E.H.