Burg pa afat për Belbën, grabiti kambistët në bashkëpunim

20/03/2005 TIRANË – Gjyqtarja e gatshme Alkelina Gazidede dërgoi dje në burg pa afat të pandehurin Elvis Belba, akuzuar për veprën penale të grabitjes së dy kambistëve në bashkëpunim. Edhe pse nuk e ka pranuar akuzën e vjedhjes me dhunë, Belba u gjend para provave të servirura nga prokurori Armand Gurakuqi. Megjithëse vepra nga të pandehurit është kryer në vitin 2000, policia arriti t'i identifikojë nëpërmjet gjurmëve të gishtave para pak kohësh. Nga ana e organit të hetimit, nuk bëhen të ditur emrat e dy kambistëve, që rezultojnë të jenë grabitur nga Belba dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Petrit Lleshi dhe Kreshnik Berisha. Vetë i pandehuri është shprehur dje se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, e cila mund të interpretohet sipas dëshirës së organit të Prokurorisë. Në dosjen e hetimit ndodhej gjurma e gishtave të të pandehurve. Ndërkohë që, Belba mori dje masën e sigurimit, bashkëpunëtorët e tij u dërguan në burg para disa ditësh. Kreshnik Berisha së bashku me Petrit Lleshin kanë mbi shpinë edhe akuzën e grabitjes së "Uester Unionit" në Laprakë, pak ditë më parë. Një tjetër grabitje, që është në ngarkim të të pandehurve, është edhe ajo e një pike të "Uester Unionit" në Kamëz, në shumën prej 18 milionë lekësh. Për të gjitha këto vepra penale, të pandehurit do të përgjigjen para gjykatës në momentin e fillimit të shqyrtimit gjyqësor.