E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letra, “më vjen keq, por nuk i laj dot borxhet”

20/03/2005  Bujar Rama 44 vjeç, është gjetur i vetëvarur dje në dyqanin e vet të mobilerisë

Një sipërmarrës mobilerie është gjetur i vetëvarur dje në dyqanin që kishte me qira, te “Brryli” në Tiranë. Bujar Rama, 44 vjeç, banues në Allias është gjetur i vetëvarur nga djali i tij paraditen e djeshme në dyqanin që kishte me qira. Pranë vetes ai kishte lënë një letër, ku i kërkonte falje familjes për aktin që po kryente, por s’kishte se ç’të bënte, pasi nuk lante dot borxhet. Kjo është konkluduar edhe nga policia pas marrjes në pyetje të të afërmve të tij, nga është mësuar se nuk arrinte t’i shlyente dot borxhet me aktivitetin që kryente.

Ngjarja

Djali i të ndjerit ka shkuar në dyqanin ku punonte i ati, pasi mbrëmjen e të premtes, Rama nuk ishte kthyer në shtëpi. Ai nuk ka mundur ta hapë derën, pasi i vetëvaruri e kishte mbyllur me çelës nga brenda. Nga vrima e çelësit ai ka vërejtur të atin të vetëvarur dhe menjëherë ka lajmëruar familjen dhe policinë. Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se ka qenë i biri i viktimës ai që ka lajmëruar për ngjarjen. Për të mos shembur derën, policia ka lajmëruar pronarin e dyqanit. Babai i dy fëmijëve është gjetur i vetëvarur me rripat e pajisjeve me të cilat punonte mobiljet. Nga këqyrja paraprake e kufomës, ka rezultuar se Rama është vetëvarur të premten.

Hetimi

Në vendngjarje policia ka gjetur një letër të shkruar nga viktima. Sipas burimeve policore, Rama në letër i kishte kërkuar ndjesë familjes së tij për aktin që do të kryente dhe se këtë gjë e bënte, pasi nuk shlyente dot borxhet. Kjo letër thuajse ka zbardhur motivet e ngjarjes, fakt që është konfirmuar edhe nga të afërmit e viktimës. Burimet thonë se nga hetimet paraprake, rezulton që Rama të ketë pasur borxhe. Mësohet se ai nuk kishte arritur të shlyente edhe një pjesë të qirasë së dyqanit. I ndodhur në kushte të rënduara psikike për shkak të borxheve, 44-vjeçari ka vendosur të vetëvaret me rripat e pajisjeve të punës, duke lënë prapa bashkëshorten dhe dy fëmijë jetimë, një vajzë e një djalë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›