E Hënë, 2 Nëntor 2026

Strukturë e re për konfiskimin e pasurive të krimit

20/03/2005  Aktivitetet do të administrohen nga Ministria e Financave deri në përfundim të gjykimit

Ngrihet një strukturë e re e Prokurorisë, në kuadër të ligjit të antimafias, e cila do të evidentojë dhe sekuestrojë pasuritë e të gjithë atyre personave që rezultojnë të dyshuar për trafiqe. Një prokuror i Prokurorisë së Përgjithsme, dy të Krimeve të Rënda dhe disa hetues, do të jenë stafi i kësaj strukture të re të ngritur katër ditë më parë.

Struktura

Kjo strukturë e re e Prokurorisë do të ketë si qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive që rezultojnë ta kenë prejardhjen nga krimi. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se prej katër ditësh është formuar kjo linjë e re e akuzës. Burimet thonë se, kjo strukturë e organit të hetimit do të evidentojë çdo investim të bërë nga personat që procedohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Bëhet fjalë për ato pasuri që disponohen nga të akuzuarit, të cilat janë ngritur që prej kohës që rezulton se ata kanë kryer aktivitet kriminal. Dhe do të verifikohen të ardhurat mujore të tyre e të familjarëve të tjerë, për të vërejtur mundësinë e ngritjes së këtyre aktiviteteve me përfitimet legale që kanë pasur.

Sekuestrimi

Burimet e organit qendror të akuzës shprehen se, prokurorët e Krimeve të Rënda do të evidentojnë fillimisht pasuritë e të proceduarve për trafiqe lëndësh narkotike, femrash për prostitucion dhe armësh. Këto aktivitete do të kenë një sekuestrim paraprak, ndërsa do të vazhdojnë punën. Me administrimin e tyre do të merren specialistë të Ministrisë së Financave. Këta të fundit do të administrojnë këto aktivitete deri në përfundim të proceseve gjyqësore ndaj të akuzuarve. Nëse këta të fundit shpallen fajtorë, atëherë do të kryhet konfiskimi i këtyre pasurive, të cilat do të kalojnë në favor të shtetit. Ndërsa, nëse ata shpallen të pafajshëm, atëherë do t’u rikthehen aktivitetet e tyre së bashku me fitimet e mbledhura gjatë kohës së sekuestrimit paraprak të pasurive. Burimet sqarojnë se gjatë kësaj kohe, kur këto aktivitete do të administrohen nga specialistët e Ministrisë së Financave, do të vërehet edhe nëse ka patur evazion fiskal. Kjo, pasi dyshohet se mjaft pronarë nuk i deklarojnë fitimet e tyre të vërteta, duke dhënë shifra mjaft të ulëta, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›