Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e 6-vjeçarit
(E plotësuar) Pjesëtarët e policisë së Preshevës kanë dërguar te gjyqtari hetues në Gjykatën e Lartë të Vranjës një mashkull me moshë rreth 24-vjeçare nga fshati Miratoc (Refik Z.) si të dyshuar për vrasjen e 6-vjeçarit Nijazi Ibrahimi, ka njoftuar të premten stacioni policor në Vranjë.
Portali "Presheva Jone" njofton se Refik Z. është fqinj i afërt i familjes Ibrahimi, në fshatin Miratoc.
Sipas disa dëshmitarëve të fshatit (Enver I. dhe Aron K.), fjala është për "hakmarrje".
E prenë në qafë
Trupin e vogëlushit nga Miratoci i Preshevës, Nijazi Ibrahimi, me qafë të prerë, të shtrirë në një pellg gjaku, e ka gjetur xhaxhai i tij. Dyshohet se krimi ka të bëjë me hakmarrje ose me ndonjë ritual të “magjisë së zezë”.
Pesëvjeçarin Nijazi Ibrahimi nga Miratoci i Preshevës e kanë mbytur në mënyrë monstruoze, duke e prerë në qafë.
“Trupin e vogëlushit me qafë të prerë, të shtrirë në një pellg gjaku, e ka gjetur xhaxhai i tij, në një shtëpi të braktisur”, ka bërë të ditur një banor i Miratocit, për gazetën “Press” të Beogradit.
Bashkëfshatarët e vogëlushit janë tronditur nga krimi monstruoz. Ndërkaq, burime të afërta me hetuesinë thonë se krimi mund të ketë ndodhur për hakmarrje.
Miroslava Ristic, zëdhënëse e gjykatës në Vranjë, ka thënë se sipas hetimeve të para, trupi i vogëlushit ka qenë i zhytur në gjak, por zyrtarisht nuk është bërë e ditur nëse është prerë apo therur në qafë.
Një burim i gazetës nga policia ka theksuar se mënyra e vrasjes së pesëvjeçarit tregon qartë se bëhet fjalë për hakmarrje.
“Vogëlushi është prerë në qafë, nga një vrasës i pamëshirshëm. Ai sikur ka dashur t’i dërgojë porosi dikujt me krimin që ka kryer. Është e mundur që vrasja të jetë bërë për hakmarrje dhe motivet e krimit të tmerrshëm ende po hetohen”.
Muzafere Imeri, edukatore e vogëlushit, ka treguar se Nijaziu pas mësimit në entin parashkollor, ishte nisur drejt shtëpisë.
“Nuk mund të besoj se e kanë vrarë. Ka qenë fëmijë i mirë dhe asnjëherë nuk ka bërë probleme”, ka thënë ajo.
Enti parashkollor gjendet në qendër të fshatit, rreth një kilometër nga shtëpia e vogëlushit. Daja i tij, Qamil Saqipi, konfirmon se shoku i të nipit kishte hyrë në një dyqan dhe Nijaziu kishte vazhduar rrugën. Më pas, ishte gjetur i vdekur.
Në Miratoc, banorët nuk besojnë se vrasja ka të bëjë me hakmarrje.
“Raste të hakmarrjes nuk kanë ndodhur tash e sa vjet ndër ne. Por, edhe po të ishte hakmarrje, nuk besoj se mund të jetë kaq e tmerrshme”, ka thënë një fqinj i familjes Ibrahimi.
Ndërkohë, një burim tjetër i gazetës “Kurir” ka bërë të ditur se përveç mundësisë së hakmarrjes, policia po heton edhe një tjetër pistë.
Sipas gazetës, prindërit e viktimës më herët kishin paraqitur një kërcënim në policinë e Preshevës. “Ata i kanë thënë policisë se persona të panjohur, që merren me ’magji të zezë’, po i kërcënojnë se do t’i vrasin“.
Babai i vogëlushit punon në kompaninë “Simpo” dhe tash i kanë mbetur edhe dy djem të tjerë. Në fshat, Ibrahimët njihen si familje e qetë dhe pa probleme.
Trupi i pajetë Nijaziut është varrosur të enjten mbrëma në varrezat e fshatit, me praninë e mijëra qytetarëve nga Lugina e Preshevës.