Mërdhijnë sërish
Nxënësit e Prishtinës janë mërdhirë sërish. Të premten ata janë përballur me të ftohtit që ka mbretëruar nëpër klasat e mësimit. Arsimtarët nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, përveçse të punojnë me orar të përgjysmuar. Një orë mësimi në shkollat e Prishtinës, të cilat do të duhej të ngroheshin nga ngrohtorja e qytetit, “Termokos”, derisa të ngrohet moti do të zgjasë 30 minuta.
Drejtori i shkollës fillore “Xhemajl Mustafa”, Qazim Çeta, tha për Express se mësimi të premten është mbajtur, ndonëse me vështirësi. “Është mbajtur për faqe të zezë. Ka qenë shumë ftohtë dhe jemi detyruar që ta shkurtojmë orarin”, tha ai.
Sipas Çetës, nxënësit e kësaj shkolle shpresat për ngrohje i kanë te Zoti, por edhe në një premtim tjetër që ua ka dhënë Komuna, për ngrohje alternative.
“Po presim, ndoshta ngrohet moti, e ndoshta së shpejti fillojmë me ngrohje alternative, ashtu siç na kanë premtuar. Kemi dëgjuar se kompanitë e kanë fituar tenderin, por këtu ende nuk kanë ardhur të punojnë”, thotë Çeta.
Ai nuk ka ide se si do t’ia bëjnë ditëve të ardhshme, nëse koha vazhdon të jetë e ftohtë. “Nuk e di, për besë, se çka do të bëjmë”.
Për të gjitha këto vështirësi, me të cilat po përballen nxënësit e kryeqytetit, janë të njoftuar edhe zyrtarët e Komunës. Shefi i Arsimit, Refik Beqiri, tha se të gjitha shkollat që ngrohjen e kanë nga ‘Termokosi’ janë duke punuar me orar të përgjysmuar. Ai shpreson se kjo gjendje nuk do të vazhdojë më shumë se një javë.
Sipas tij, gjashtë shkolla të Prishtinës do të kenë edhe ngrohje alternative. “Dy kompani e kanë fituar tenderin dhe besoj që pas një jave kjo punë do të kryhet”, theksoi Beqiri.
E bashkë me nxënësit, janë mërdhirë edhe qytetarët e Prishtinës. “Termokosi” konfirmon se nuk ka më ngrohje. Zëdhënësja Zana Efendija tha se që nga ora 12 e së premtes, ngrohja është ndalur për shkak të harxhimit të sasisë së mazutit.
“Termokosi funksionon me aq sa ka sasi të lëndës së parë. Mazuti është harxhuar”, tha ajo për Express.
Në muajin janar, Ministria e Ekonomisë dhe Financave kishte ndarë 170 mijë euro për blerjen e mazutit, që ka shërbyer vetëm për dy javë. Ndërsa shuma prej 300 mijë eurosh, e ndarë nga Komuna e Prishtinës, është shfrytëzuar për blerjen e mazutit që i ka ngrohur qytetarët gjatë muajit shkurt.
“300 mijë euro ndihmë nga Komuna e Prishtinës janë harxhuar gjatë javëve të fundit, meqë furnitori ka furnizuar me mazut në kohën kur ende nuk patën dalë të hollat, pasi që pati vonesa procedurale për lejim nga ana e MEF-it. Kjo do të thotë se sasia e mazutit, e siguruar me mjetet e ndara nga Komuna, është shpenzuar”, tha Efendija.
Për të vazhduar sezoni i ngrohjes, shpresat e vetme mbeten subvencionet, në vlerë 855 mijë euro, të cilat, sipas Efendisë, pritet të ndahen nga Qeveria. “Kërkesën për këto subvencione, menaxhmenti i ‘Termokosit’ e ka bërë më 14 shkurt dhe shpresojmë se nuk do të ketë vonesa”.
Ngrohtorja e Prishtinës që nga fillimi i sezonit ka pasur probleme të vazhdueshme, nga të cilat kanë pësuar qytetarët e Prishtinës. Ata kanë shfrytëzuar alternativa të ndryshme për t’u ngrohur.