Pacolli në veri, premton luftimin e grupeve kriminale

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, nën masa të rrepta të sigurisë, kanë vizituar të shtunën zonën “Tre Rrokaqiejt” në veri të qytetit të Mitrovicës, ku janë pritur nga banorët shqiptarë. Kjo është hera e parë që një president i Kosovës viziton pjesën veriore të Mitrovicës.
Banorët shqiptarë të zonës “Tre Rrokaqiejt” me duartrokitje pritën ardhjen e presidentit Pacolli dhe ministrit Rexhepi, duke iu dëshiruar atyre mirëseardhje.
Kreu i vendit me këtë rast ka premtuar se do të luftojë grupet kriminale në këtë pjesë të vendit. Ai ka thënë se qytetarët e kësaj pjesës veriore të Mitrovicës do të ndihen si qytetarë të Republikës së Kosovës.
“Nuk ka as veri dhe as jug, ky është vetëm term gjeografik”, ka thënë Pacolli.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se me një punë të përbashkët, i gjithë territori i shtetit të Kosovës do të jetë unik, ku do të mbretërojë sundimi i rendit dhe ligjit.
Presidenti Pacolli ka vizituar edhe shtëpinë e ministrit Rexhepi që ndodhet në Suhadoll, me të cilin kanë biseduar pa praninë e medieve.
Vizita e kreut të vendit është bërë nën masa të rrepta të sigurisë, ku ka pasur prani të shtuar të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë incident. (KosovaPress)