Çitaku: Sivjet presim udhërrëfyesin për liberalizim
Ministrja e re e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, thotë se Kosova këtë vit pritet ta marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave. Në një intervistë për Radio Kosovën ajo shprehet se përmbushja e kritereve të përcaktuara në Raportin e Progresit të viti të kaluar mbeten sfidat kryesore me të cilat do të ballafaqohet kjo ministri këtë vit.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku thotë se procesi i integrimit të Kosovës në radhët e Bashkimit Evropian është sfidë edhe për Brukselin, për shkak të rrethanave politike. Ajo shprehet optimiste se pas përmbushjes së kritereve nga ana e institucioneve të Kosovës, BE-ja do të ndryshojë qëndrimin e saj karshi Kosovës.
Duke folur rreth marrjes së Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ministrja Çitaku, ndonëse nuk saktëson ndonjë afat konkret, thotë se kjo të ndodhë shumë shpejt.
“Unë jam e bindur që Kosova do ta marrë shumë shpejt udhërrëfyesin dhe kjo siguri nuk më vjen vetëm nga fakti që tashmë ne kemi plotësuar kriteret, por edhe nga vetë deklarimet e nga zyrtarë në Bruksel, të cilët kanë artikuluar qartë në favor të dhënies së udhërrëfyesit për Kosovën”, thotë Çitaku.
Zhvillimet e fundit në vendet fqinje padyshim që prodhojnë efekte negative edhe për Kosovën, thotë ministrja Çitaku. Prandaj, ajo mendon se politikat ndër rajonale duhet të jenë më të dakorduara njëra me tjetrën.
“Shumë prej sfidave të procesit të integrimit janë të karakterit rajonal. Korrupsioni, krimi i organizuar janë shumë të lehtë të tejkalueshme në rast se fuqizohet bashkëpunimi rajonal dhe padyshim që çfarëdo lloj trazire në vendet përreth prodhon efekte për tërë rajonin”, shtoi Çitaku.
Ndërsa, duke folur për sfidat tjera të kësaj ministrie, Çitaku përmend edhe zhbllokimin e çështjes së CEFTA-s si dhe përmbushjen e kritereve tjera të përmendura në raportin e progresit të vitit të kaluar, në mënyrë që raporti i këtij viti të jetë më pozitiv, thotë ajo.