MPJ: Vazhdon evakuimi i kosovarëve nga Libia

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njofton se po vazhdon evakuimi i shtetasve të Kosovës që gjinden në Libi. Evakuimi i shtetasve të interesuar po bëhet përmes aeroplanëve të Republikës së Turqisë.
"Sot kanë arritur në Kosovë shtetasit e evakuuar me ndihmën e autoriteteve të Mbretërisë së Holandës, ndërkohë që po sot në aeroportin e Tripolit janë drejtuar përafërsisht 20 shtetas të Kosovës të cilët pritet të evakuohen përmes aeroplanëve të Republikës së Turqisë", ka njoftuar MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi.
Ministria e Punëve të Jashtme ka falënderuar autoritetet shtetërore të Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Turqisë për ndihmën e dhënë për evakuimin e shtetasve kosovarë.
MPJ thotë se përmes Ambasadës së Kosovës në Ankara është e angazhuar intensivisht për evakuimin e të gjithë shtetasve të interesuar për largim nga zonat e rrezikut.