Ministria e Drejtësisë, draft ligjor për Avokatinë
Prezenca e OSBE-së, në rekomandimet e saj të paraqitura në raportin e publikuar disa muaj më parë, për zvarritjen e proceseve gjyqësore, i drejtohej Ministrisë së Drejtësisë për të marrë masa, si dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Madje, duke dhënë edhe sugjerime për avokatët abuzues që janë shkak i degradimit të proceseve gjyqësore. Dhe, reagimet e para nisën të vijnë nga Ministria e Drejtësisë, e cila përballet çdo javë me shkresa të ndryshme përcjellëse nga gjyqtarë të ndryshëm apo kryetarë gjykatash, të cilët kërkojnë marrjen e masave për avokatët që zvarrisin proceset gjyqësore. Kështu, zvarritjet e gjyqeve për shkak se avokatët nuk paraqiten ne seanca kanë bërë që Ministria e Drejtësisë të nisë hartimin e një drafti të ri ligjor. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, sqaron se pas miratimit të këtij projektligji, shumë avokatë do të humbin edhe licencat e tyre, si mënyra e vetme për të ndërhyrë fort ndaj atyre që degradojnë procesin. “Gjithmonë e më shpesh në tavolinën e ministrit të Drejtësisë vijnë ankesa të bëra nga prokurorë, të bëra nga gjyqtarë, për avokatët, të cilët bëhen një barrë e madhe për shtyrjen e proceseve gjyqësore. Ministria e Drejtësisë, së bashku me Dhomën Kombëtare të Avokatëve, do të krijojnë një lloj mekanizmi, i cili do të funksionojë nga kjo kohë e më vonë, për të bërë avokatët më të përgjegjshëm ndaj financave të tyre, por edhe ndaj të tretëve”. Kreu i institucionit të Drejtësisë shtoi se avokatët nuk mund të qëndrojnë më me idenë se me vonesat e tyre mund të shpëtojnë klientët. Ai u shpreh se “Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Dhomën e Avokatisë do të sjellë zhdukjen e fenomenit, si dhe zvarritjen pa fund të proceseve gjyqësore”.