E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lul Berisha transferohet tek 313-a

Pas operacionit

Lulëzim Berisha, i cilësuar si kapoja i "Bandës së Durrësit", është transferuar gjatë së premtes nën masa të rrepta sigurie nga Spitali i Burgut në Burgun e Sigurisë së Lartë 313 në Tiranë. Lajmi u bë i ditur dje nga burime pranë Drejtorisë së Burgjeve, të cilat konfirmuan izolimin e të pandehurit Berisha ne mjediset e burgut 313. I pandehuri Berisha iu nënshtrua pak ditë më parë një operacioni në apendicit në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë dhe më pas u trajtua në Spitalin e Burgut. Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tij, togat e shoqërimit realizuan pasditen e së premtes transferimin e Lulëzim Berishës sërish në Burgun e Sigurisë së Lartë 313 në Tiranë. Lulëzim Berisha është në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale mes tyre edhe vrasje, në kuadër të organizatës kriminale, e njohur si "Banda e Durrësit". Së bashku me të, në proces gjykimi në këtë gjykatë janë dhe 16 persona të tjerë, të cilët akuzohen si pjesëtarë të bandës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›