Kuvendi, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, dy prioritetet
Kuvendi gjatë seancës së parë në ditën e djeshme ka vendosur që gjatë kësaj seance komisionet përkatëse dhe grupet parlamentare të kenë si prioritet të punës së tyre miratimin e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Miratimi i këtyre reformave me konsensus është një nga kushtet e anëtarësimit të Shqipërinë në NATO dhe BE. Njëkohësisht, ditën e djeshme Kuvendi ka miratuar një numër të konsiderueshëm projektligjesh. Deputetët miratuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Evropiane, për programin e financimit të pjesëmarrjes së Shqipërisë në programin transnacional ERDF, të bashkëpunimit territorial evropian «Hapësira e Evropës Juglindore», nën instrumentin e ndihmës së paraaderimit (IPA), komponenti i bashkëpunimit ndërkufitar, për vitin 2007”. Njëkohësisht, u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Evropiane, për programin e zhvillimit kufitar të Qarkut të Kukësit, Shqipëri, për vitin 2007, nën instrumentin e ndihmës së paraaderimit (IPA) komponenti II - bashkëpunimit ndërkufitar”. Ditën e djeshme u miratuan edhe projektligjet për “Për miratimin e niveleve të tarifave doganore”, “Për nomenklaturën e mallrave dhe tarifën doganore”, të ndryshuar”, dhe projektligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”.