Tufa, gjykata pezullon afatet e paraburgimit
12/04/2005 Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot të pezullojë afatet e paraburgimit për Lavdërim Tufën, i akuzuar për ngjarjen e ndodhur dy vjet më parë në lokalin "Kartodrom 2000", ku mbetën të vrarë Fatmir Rama, ose siç njihet ndryshe Miri i Xhikes, Kristaq Cami e Julian Durishti dhe u plagos Ylli Kelmendi. Vendimi për pezullimin e afateve të paraburgimit për Tufën u mor nga kryetari i trupit gjykues, Sandër Simoni, pas mungesës në seancën e sotme të të pandehurit Lavdërim Tufa dhe avokatit të tij mbrojtës, Ferdinand Doja. Sipas kryetarit të trupit gjykues, avokatët mbrojtës të të pandehurit kishin marrë njoftimim për orën dhe zhvillimin e seancës, prandaj mungesa e tyre në seancë nuk mund të justifikohej. Po sot, kryetari i trupit gjykues vendosi që të vinte në dijeni në lidhje me mungesën e avokatëve Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për të marrë masa për këtë veprimi të përsëritur të mbrojtësve të Tufës. Seanca e radhës u la për t'u zhvilluar në datën 18 prill. Në këtë seancë i pandehuri pritet të bëjë deklarimet e fundit në lidhje me akuzën e ngritur nga Prokuroria.