E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet njëri nga tre dhunuesit e policit, e qëlluan me kaçavidë



DURRËS – Tre persona kanë tentuar të dhunojnë një polic duke e qëlluar me kaçavidë, por kanë dështuar pasi ai iu është kundërpërgjigjur me të shtëna me armë zjarri në ajër, gjë që më pas ka sjellë arrestimin e njërit prej tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes është arrestuar shtetasi Indrit Dule, lindur e banues në Arapaj të Durrësit. 33-vjeçari, i dënuar më parë për heqje të paligjshme të lirisë, së bashku me dy të tjerët kanë qëlluar me grushte dhe më pas kanë tentuar të neutralizojnë me mjete rrethanore shtetasin M.K., punonjës i Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë. Policia arrestoi njërin nga autorët e ushtrimit të dhunës ndaj efektivit të rendit, sekuestroi mjetin me të cilin u tentua që të goditej M. K., ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë.
Ngjarja
Në orët e para të së premtes, rreth orës 2:30, Indrit Dule, së bashku me dy shokët e tij, kanë qenë në një lokal në qytetin bregdetar, brenda të cilit ndodhej edhe një efekt policie i Komisariatit Nr. 2 të kryeqytetit. Njëri nga tre personat ka shkëmbyer debate me policin, i cili u është kundërpërgjigjur. Kaq ka mjaftuar dhe ata kanë tentuar të keqtrajtojnë shtetasin M.K. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se gjatë një konflikti të çastit, Dule së bashku me dy shokët e tij kanë qëlluar me grushte dhe më pas ka tentuar ta qëllojë me një mjet të fortë (kaçavidë) M.K. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se i dëmtuari, i ndodhur përballë kësaj situate, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. “Nga ana jonë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së zjarrit të punonjësit të Policisë dhe kaçavidës me gjatësi 25 centimetra, e cila iu gjet në trup 33-vjeçarit Indrit Dule”, - deklaroi zyrtarisht policia
Arrestimi
Pa kaluar as 24 orë policia mundi të gjejë njërin nga tre autorët e keqtrajtimit. Efektivi i Rendit ka bërë denoncimin dhe mbrëmjen e asaj dite është bërë i mundur ndalimi i 33-vjeçarit Dule, pasi dyshohet se ka therur me mjete të mprehta M.K. Indrit Dule ka lindur dhe është banues në fshatin Arapaj, rreth 6 kilometra larg qytetit të Durrësit. Ai është i dënuar edhe më parë për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, materialet në ngarkim të Indrit Dules i kaluan prokurorisë së rrethit, e cila po heton për veprën penale të “tentativës së vrasjes me dashje”. Gjatë këtij viti janë regjistruar me qindra raste të ushtrimit të dhunës ndaj efektivave të policisë nga persona të ndryshëm.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›