“Shtator 2008”, policia bllokon 47 makina luksoze që rezultojnë të vjedhura jashtë Shqipërisë
TIRANË - Policia e Shtetit organizoi një operacion të gjerë në luftën kundër trafikimit të mjeteve motorike. Pas përfundimit uniformat blu raportojnë se janë bllokuar 47 makina luksoze. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur dje rezultatet e operacionit të koduar “Shtator 2008”, të ndërmarrë përgjatë tre ditëve të fundit. Të njëjtat burime shtuan se shumica e makinave të bllokuara janë prodhime të viteve të fundit, të cilat rezultojnë të trafikuara në vendin tonë.
Operacioni “Shtator 2008” pati si synim parandalimin e trafikimit të mjeteve motorike, goditjen e autorëve të kësaj veprimtarie si dhe sekuestrimin e makinave të trafikuara. Sipas njoftimit për shtyp të kësaj Drejtorie, gjatë operacionit në fjalë forcat e policisë verifikuan rreth 1000 automjete në gjithë territorin e vendit, prej të cilave rezultuan të trafikuara 47 automjete, kryesisht makina luksoze. Sipas raportit 18 nga automjetet e sekuestruara janë të tipit “Mercedez Benz”, 11 “BMW”, 5 “Audi”, ndërsa 13 tipa të tjera automjetesh. Po ashtu i janë referuar prokurorisë së rretheve gjyqësore materialet hetimore për të proceduar penalisht 52 shtetas, që dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit paralajmëroi intensifikimin e masave për parandalimin e trafikimit të mjeteve motorike, duke bashkëvepruar dhe koordinuar veprimet me institucione të tjera shtetërore si dhe të huaja.
Abuzimi me pronat, organi i akuzës shqyrton certifikatat e pronësisë
TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka marrë në shqyrtim materialet zyrtare shkresore mbi disa prona në komunat Farkë, Petrelë dhe Dajt, për të cilat janë ngritur dyshime se janë tjetërsuar për qëllime përfitimi. Burime nga prokuroria pohuan të premten për gazetën “Albania” se hetuesit kanë filluar verifikimin e dokumentacionit zyrtar mbi këto prona, të marrë në organet e pushtetit lokal. Sipas burimeve të prokurorisë, certifikatat apo vërtetimet e pronësisë mbi këto troje do t'i nënshtrohen ditët në vijim edhe ekspertizave përkatëse, për të parë nëse ka, ose jo, falsifikime të tyre. Paralelisht me këto veprime hetimore, hetuesit po mbledhin edhe dëshmitë e banorëve të këtyre pronave, për të hedhur sa më shumë dritë mbi çështjen në fjalë. Gjatë dy muajve të fundit, në organin e akuzës janë depozituar afro 40 kallëzime penale nga banorë të ndryshëm, që pretendojnë se është abuzuar me tokat e tyre në disa nga komunat e Tiranës. Ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia, se abuzimi me trojet mund të jetë bërë përmes falsifikimit të dokumentacionit zyrtar të tyre.
Fushë–Prezë, treni përplas 35-vjeçarin, po kalonte shinat me karrocë
TIRANË - Një 35-vjeçar është përplasur sot nga treni i linjës Shkodër - Tiranë. Aksidenti ndodhi dje në mëngjes në Fushë-Prezë, në afërsi të kthesës së vjetër të Rinasit. Sipas të dhënave të para 35-vjeçari Agim Koriku po lëvizte me karrocë mbi shina kur është përplasur nga treni. I aksidentuari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë, por mjekët shprehen se gjendja e tij është e rëndë. Vetëm pak javë më parë në një tjetër aksident hekurudhor humbën jetën dy të moshuara. Gratë kishin qenë duke ecur mbi shina në momentin kur ka kaluar treni.
27 Shtator 2008