E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e 19 nëntorit, Prokuroria thërret ushtarakët që shërbyen në Rinas

Pas dëshmive në “Faktori plus” fillon investigimi i “natës së akullt”. Dëshmitë e ushtarakëve do të përcaktojnë urdhëruesin e aksionit

Habjon Hasani

Prokuroria e Përgjithshme ka ndryshuar trajektoren e qëndrimit të saj lidhur me hetimin e natës së acartë të 19 nëntorit 2007. Kjo natë është përcaktuar nga zyrtari i Ambasadës Amerikane, Lerri Herrison (gjatë dëshmisë para Kongresit në SHBA), si nata kur ish-ministri Mediu urdhëroi zhvendosjen e kutive të fishekëve me mbishkrime nga Rinasi (me aprovimin e ambasadorit Uidhers, sipas Herrisonit), për t’ia fshehur një fakt të tillë gazetarit të “Nju Jork Tajmsit”, që po investigonte blerjen e këtyre fishekëve nga Pentagoni. Pas dëshmisë publike të Andi Belliut, ish-punonjësit të Gërdecit, mbi këtë natë, Prokuroria ka kuotuar në maksimum të dhënat dhe tashmë ka vendosur që të thërriten të gjithë ushtarakët që kanë shërbyer në Rinas atë natë. Sipas Belliut, pas një urdhri alarmues të Dritan Minxollit, u nisën tre kamionë nga Rinasi, të mbushur me kuti metalike me mbishkrime kineze. Por Belliu nuk e ka ditur “urdhëruesin” e Minxollit, kështu që Prokuroria po përpiqet të zgjidhë enigmën e zinxhirit të telefonatave duke pyetur ushtarakët që shërbenin në Rinas atë natë.
Ushtarakët
Burime nga organi i akuzës i thanë dje “Albania”-s se ushtarakët që ishin në shërbim atë natë do të merren në pyetje në mënyrë të hollësishme mbi ecurinë e punës dhe të ngjarjeve të jashtëzakonshme që ndodhën natën e 19 nëntorit 2007. Nëse i referohesh dëshmisë së Belliut, ajo natë ishte shumë e ftohtë dhe të gjithë punëtorët e Gërdecit u sinjalizuan dhe u mobilizuan për të shkarkuar tre kamionë të mbushur plot me kuti me mbishkrime kineze. Por duket se përgjigjja e enigmës mund të vijë fare lehtë nga ushtarakët që kanë punuar atë natë në Rinas. Ata do të pyeten lidhur me momentin kur u urdhërua mbledhja dhe ngarkimi në kamionë i të gjitha kutive bosh me mbishkrime kineze. Ndoshta këto dëshmi do të përcaktojnë dhe personin e parë që është njoftuar në Rinas, nga ku më pas ky i fundit mund të dëshmojë dhe të artikulojë emrin e urdhëruesit të tij.
Belliu
Andi Belliu dhe Veli Xhihani kanë qenë dy dëshmitarët e parë që kanë dëshmuar publikisht në lidhje me personazhet kyçe dhe funksionet e tyre specifike në Fabrikën e Gërdecit. Por dëshmia e Belliut solli dritë edhe në lidhje me natën e ftohtë dhe pis të errët të 19 nëntorit 2007, ndërsa “kujtesa e Belliut” mbahej në disa të dhëna shumë të forta. Belliu e lidhi këtë falë disa të dhënave të rëndësishme të aktivitetit të tij ato ditë. Pasi dëgjoi dëshminë e zyrtarit të Ambasadës së SHBA-ve Herrison, Belliu ishte përpjekur të kujtonte se ç’kishte ndodhur më 19 nëntor në Gërdec. Si referencë atij i shërbeu nata e 17 nëntorit 2007 (ditë e shtunë), ku kishte parë ndeshjen Shqipëri-Bjellorusi. Të dielën (në datë 18) ai kishte shkuar në punë, ndërsa në datën 19 kishte ndodhur dhe shkarkimi me emergjencë i tre kamionëve me kutitë kineze të mbërritura nga Rinasi. Madje Belliu ka dhënë detaje edhe në lidhje me kamionin që doli nga Gërdeci, duke saktësuar se Veiz Muça u detyrua t’i hidhte ujë të ngrohtë xhamit pasi fshirëset kishin ngrirë nga temperaturat e ulëta.

Belliu thërritet në Prokurori për të dëshmuar

Dy ditë pasi “Albania” ka publikuar faktin se Prokuroria kishte refuzuar dëshminë e rëndësishme të Andi Belliut, duket se hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme nuk e kanë përsëritur neglizhencën që tregoi Prokuroria e Tiranës. Belliu është thirrur dje dhe ka dëshmuar në lidhje me variantin e tij për ngjarjet dhe zhvillimet në Gërdec. “Po sot u paraqita dhe u mora në pyetje. Ndoshta do të kem dhe një seancë tjetër pyetësore. Dua të sqaroj se nuk kam deklaruar asgjë më shumë sesa kam deklaruar publikisht, kështu që çdolloj interesimi mbi atë që mund të kem thënë e gjeni të botuar”, - i tha dje Belliu “Albania”-s.
Pozicioni dhe funksioni i Belliut në Gërdec u jep një tjetër dimension mundësive që ai shfaq për Prokurorinë dhe hetuesit, pasi puna e tij specifike mund të japë të dhëna jo vetëm në lidhje me personazhet, por edhe mbi pistën e trafikimit. Duke qenë se Belliu ka kryer një funksion që kishte lidhje me prerjen dhe trajtimin e municioneve, ai normalisht ka përfaqësuar një dëshmitar që mund të jepte të dhëna të vyera lidhur me trajtimin e predhave dhe barutit, për të cilat që në fillim Prokuroria dyshonte se ishin pjesë e skemës së trafikimit.

Dëshmia e Herrisonit implikoi dhe Ambasadën

Implikimin e ambasadorit amerikan në Tiranë e denoncoi dëshmia e atasheut ushtarak në këtë ambasadë, Leri Herrison. Ai citoi gjatë intervistës së tij që dha para Kongresit Amerikan se ministri shqiptar i Mbrojtjes ishte i shqetësuar nga fakti se një reporter i “Nju Jork Tajmsit” planifikonte të hetonte mbi dërgesat në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, ku kompania “AEY” po ndërmerrte operacionin e saj të ripaketimit të municionit kinez përpara se ta dërgonte atë në Afganistan, një proces që përfshinte heqjen e municionit nga paketimi i tij origjinal kinez. Vizita e reporterit ishte e programuar për të nesërmen. Sipas majorit Herrison, ministri shqiptar i Mbrojtjes, "shumë i shqetësuar, më kërkoi mua të lija një takim për të takuar ambasadorin apo zv/shefin e misionit për reporterin e ‘Nju Jork Tajmsit’. Majori Herrison citoi se ministri i Mbrojtjes ishte i shqetësuar se reporteri do të hapte akuza korrupsioni kundër tij. Sipas majorit Herrison, shqetësimi kryesor i ministrit, që tërhoqi vëmendjen e tij, ishte se “Nju Jork Tajmsi” do të shkruante një artikull për korrupsionin shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe arsyeja për shqetësimin e tij ishte se: çfarë do të ndodhte me reputacionin e tij personal dhe atë të Shqipërisë? Major Harrison citoi se në përgjigje të kërkesës së ministrit shqiptar të Mbrojtjes, ai kontaktoi zv/shefin e misionit, Stefën Kristina, i cili rregulloi mënyrën që takimi të mbahej në rezidencën e tij private në Tiranë po atë pasdite.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›