Treni përplas karrocën, plagoset rëndë 35-vjeçari
Një 35-vjeçar është përplasur dje nga treni i linjës Shkodër-Tiranë. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në Fushë-Prezë, në afërsi të kthesë së vjetër të Rinasit. Sipas të dhënave të para 35-vjeçari Agim Koriku po lëvizte me karrocë mbi shina kur është përplasur nga treni. I aksidentuari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë, por mjekët shprehen se gjendja e tij është e rëndë. Vetëm pak javë më parë në një tjetër aksident hekurudhor humbën jetën dy të moshuara. Gratë kishin qenë duke ecur mbi shina në momentin kur ka kaluar treni.
Rifillon puna në pikat doganore me Greqinë
KAKAVIJË – Pas katër ditësh protestë të doganierëve grekë, dje janë hapur të gjitha pikat e shërbimit doganorë me vendin tonë. Gjatë gjithë ditës së premte ka vijuar puna normalisht në pikat e Kakavijës, "Tri Urave" dhe Kapshticës duke filluar që nga ora 06:00 e mëngjesit. Megjithëse mosplotësimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë greke, punonjësit e doganave e ndërprenë bojkotimin e tyre. Nuk ka ende ndonjë të dhënë që të tregojë nëse do të ketë greva të tjera nga ana e doganierëve grekë. Ndërkaq, sipas të dhënave të para të marra, bëhet e ditur se greva e doganierëve grekë për çdo ditë i ka shkaktuar palës shqiptare një humbje prej 20-25 milionë lekësh.
Rifillimi normalisht i punës konfirmohet edhe në pikën doganore të Kapshticës. 20 maune që prisnin prej dy ditësh në kufirin grek kanë mundur të kalojnë dje në territorin shqiptar pasi i janë nënshtruar procedurave doganore.
Mungesa e ekspertëve shtyn gjyqin ndaj Vasil Bollanos
VLORË - Mungesa e një prej ekspertëve që do të rillogarisin dëmin e shkaktuar nga heqja e tabelave në akset rrugore Llogora-Palasë ka bërë që seanca e djeshme në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano të shtyhet sërish. Në seancë ka qenë eksperti i ri kontabël, por nuk është paraqitur Luiza Bala, ekspertja tjetër e caktuar nga Gjykata e Vlorës në çështjen në ngarkim të Bollanos. Në seancën e mëparshme është vendosur një akt i ri ekspertimi, i cili do të shërbejë si provë për trupin gjykues. Për këtë u caktuan një grup ekspertësh në rillogaritjen e dëmit të shkaktuar nga heqja e tabelave.
Sot dy ekspertët e rinj, sipas rregullores, duhet të bënin betimin, por një gjë e tillë nuk është realizuar dhe për pasojë nuk është zhvilluar fare seanca. Kryetari i Bashkisë, Bollano është i akuzuar për shpërdorim detyre për urdhërimin e heqjes së tabelave orientuese dhe treguesve të pikave turistike përgjatë akseve rrugor në bregdet, ku është vlerësuar paraprakisht një dëm në vlerën 21 milionë lekë. Vetë Bollano nuk është paraqitur asnjëherë në seancat në ngarkim të tij, ku e radhës do të jetë ajo e datës 13 tetor.
27 Shtator 2008